Prestigjiozja spanjolle kritikon Perëndimin për heshtjen lidhur me Morsin

Një nga gazetat me tirazhin më të lartë në Spanjë, El Pais, ka publikuar një artikull me kritika ndaj Perëndimit për heshtjen në lidhje me vdekjen e presidentit të parë të zgjedhur me votë në Egjipt, Mohamed Morsi, transmeton (AA). “Bota duhet të qajë për vdekjen e ish-presidentit të Egjiptit”, ka shkruar profesori Luz Gomez, studiues i shteteve arabe në Universitetin Autonom të Madridit, në artikullin me titull “Morsi, rruga e prerë e demokracisë së Egjiptit”.

“Ai mori nën mbrojte dinjitetin e revolucionit të Egjiptit me refuzimin e ultimatumit të ushtrisë para puçit në korrik të vitit 2013. Një dinjitet që ishte mbi politikën e Vëllazërisë Myslimane islamiste konservatore, e cila ishte pikëpamje e Morsit dhe kishte shumë armiq”, thuhet në artikull.

Artikulli ka rikujtuar se Morsi është “presidenti i vetëm dhe i parë civil i zgjedhur në mënyrë demokratike”. “Megjithatë, në mënyrë të çuditshme, ne do të shohim se si mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe liderët perëndimorë nuk do të shprehin ngushëllime për vdekjen e tij dhe, ende më e tmerrshme, këtë nuk do ta bëjnë po ashtu një pjesë e egjiptianëve”, thuhet në artikullin e të përditshmes spanjolle El Pais.

“E ardhmja e Egjiptit nuk mund të jetë më e errët. Nuk ka arsye për të vazhduar ëndrrën e vitit 2011 për demokraci. Mbase Morsi, në esencë, ishte një president i sinqert që nisi rrugën e demokracisë e cila sot është prerë”, ka përfunduar Gomez. Ndryshe, 67-vjeçari Morsi humbi jetën dje në një seancë gjyqësore në të cilën përballej me një sërë akuzash që kur u rrëzua dhe u burgos pas puçit ushtarak në vitin 2013.

Ai u varros në lindje të Kajros në orët e hershme të mëngjesit të sotëm nën masa të forta të sigurisë dhe në prani vetëm të anëtarëve të familjes së tij dhe avokatëve. Morsi, si anëtar kryesor i Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit, në vitin 2012 fitoi zgjedhjet e para të lira presidenciale në Egjipt. Pas vetëm një viti në detyrë, ai u rrëzua dhe u burgos me një grusht shteti të përgjakshëm ushtarak të udhëhequr nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe presidenti aktual, Abdel Fattah al-Sisi. Morsi u dënua me 48 vjet burgim gjithsej në katër nga gjykimet e hapura kundër tij, ndërkohë që vazhdonte procesi i gjykimit në dy raste të tjera.