Prestigjiozia “AS” artikull special Manajt: Ftonte për darka puntorët e klubit

Ja ku erdhi dita që një futbollist shqiptar të jetë në stadiumin “Camp Nou”. Jo si tifoz, por si protagonist. Rei Manaj ka bërë realitet një tjetër objektiv që i kishte vendosur vetes: Të grumbullohej nga skuadra e parë. Iu desh të priste pak, por ja ku është mes futbollistëve që trajneri Kike Setien ka grumbulluar për ndeshjen e sotme kundër Getafes (16:00).

Ky lajm ka bërë jehonë jo vetëm në mediat shqiptare, por edhe në ato spanjolle. Prestigjiozia “AS”, ka zgjedhur t’i kushtojë një artikull special, sulmuesit nga Lushnja, duke treguar historinë e tij. “Rei Manaj, rrugëtimi i vështirë i një emigrant shqiptar”, titullohet artikulli i bërë publik nga “AS”. Në brendësi të tij shkruhet:“Rei Manaj e di sa kushtojnë gjërat. Një nga gjërat që ka bërë më së shumti te Albasete ishte mbledhja së bashku e masazhatorëve, punëtorëve dhe pjesëtarëve të tjerë të klubit, duke i ftuar herë pas herë për darkë. Ai i njeh mirë vështirësitë e jetës.

I lindur në 1997 në Lushnjë, emigroi në Itali kur ishte 11 vjeç bashkë me familjen e tij në kërkim të një të ardhme më të mirë. Shumë i lidhur me një prej gjysheve të tij, e cila e ka ndjekur gjatë të gjithë karrierës, jetonte me prindërit dhe motrën në të njëjtën banesë.

Manaj nuk ka vendosur asnjë premio ekstra në kontratë nëse luan me ekipin e parë edhe pse ka pranuar se mund të ndodhë një gjë e tillë.

Është kurioz fakti se mund të debutojë ndaj Getafes së Bordals, që në fazën përgatitore ishin shumë të  interesuar për lojën e Manajt në një miqësore që zhvilluan në Alikante. Familja e tij po jeton me pasion orët para një debutimi të mundshëm.

Ai përfshin në rrethin e ngushtë edhe qenin, Budino, i cili prej kohësh e shoqëron në këtë udhëtim që mund ta kthejë në një hero për një ditë, Rei Manaj mund të jetë shqiptari i parë që luan te Barcelona. Do të ishte një ngjarje kombëtare”, shkruan veç të tjerash “AS”.