Më e thirrur që të reagojë dhe ndikojnë ndaj Athinës mbi Marrëveshjen e Prespës është SHBA-ja. Ardhja e Rikerit në Shkup dhe Athinë është në këtë funksion, kuptohet duke mos e anashkaluar edhe krizën e krijuar në Shkup pas skandaleve korruptuese dhe dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj në Kosovë, vlerësojnë analistët për gazetën KOHA
Destan JONUZI
Shkup, 22 korrik – Ndihmës sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropën dhe Euroazinë, Filip Riker, këtë javë do ta vizitojë Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, me ç’rast do të realizojë takime me përfaqësues të pushtetit, shoqërisë civile dhe bashkësisë së biznesit, kumtoi Departamenti i Shtetit. Riker në Athinë do të takohet me shefin e diplomacisë greke Nikos Dendias dhe me përfaqësues të tjerë qeveritar. Në Shkup, megjithatë ai do të realizojë takime me presidentin Stevo Pendarovski, me kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov dhe përfaqësues të tjerë qeveritar. Tema qendrore do të jenë çështjet bilaterale dhe rruga e Maqedonisë Veriore drejtë anëtarësimit në BE dhe NATO. Ndërkohë njohës të çështjeve dhe konteksteve diplomatike thonë se vizita e Rikerit në Shkup dhe Athinë vjen si rrjedhojë e ndryshimit të pushtetit në Greqi.
Sipas tyre ai vjen për të bindur qeverinë greke për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, ndërsa në Shkup për tu informuar nga afër me skandalet korruptuese që e tronditën vendin kohëve të fundit. “Demokracia e Re dhe Mitsotakis ka paralajmëruar një qasje të ashpër ndaj Marrëveshjes së Prespës para zgjedhjeve parlamentare në Greqi. Mes tjerash në këtë bazë ai fitojë mbështetje të madhe të votuesve në Maqedoninë e Egjeut. Tanimë deklaratat e tij janë më të përmbajtura. Nga ana tjetër ish-kryeministri Cipras e fajëson për këtë çështje. Kuptohet se edhe grekët në Selanik dhe rrethinë presin reagim. Më të thirrur që të reagojë dhe ndikojnë ndaj Athinës mbi Marrëveshjen e Prespës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) duke e detyruar Qeverinë e re greke që të zbatojë marrëveshjen edhe përkundër marketingut parazgjedhor. Ardhja e Rikerit në Shkup dhe Athinë është në këtë drejtim, kuptohet duke mos e anashkaluar edhe krizën e krijuar në Shkup pas skandaleve korruptuese dhe dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj në Kosovë”, deklaroi për gazetën KOHA, Zhidas Daskalovski, kryetar i Qendrës për hulumtime dhe krijimin e politikave.
Nga ana tjetër, gazetari Nazim Rashidi vlerëson se faktori ndërkombëtar i cili u involvua në Marrëveshjen e Prespës, sigurisht që do të vijojë të ndjeke zbatimin. “Arsyeja është sepse kjo marrëveshje, shihet si element stabiliteti dhe si rrjedhoje është interes më i madh se sa veç i Maqedonisë së Veriut apo dhe Greqisë. Sa i përket skandaleve korruptuese, edhe sikur mos ishin në agjende, s’ka se si mos jenë temë diskutimi, se aq shokuese janë zhvillimet, sa edhe skenaristët e Holivudit do i kishin zili”, deklaroi Rashidi për gazetën KOHA. Përndryshe, Filip Riker i cili është ish-ambasador i SHBA-së në vend, për herë të fundit Shkupin e ka vizituar në mars të këtij vitit në cilësinë zëvendësit civil dhe këshilltarit politik të komandantit të Komandës evropiane të Forcave ushtarake të SHBA-së detyrë që e ka ushtruar para se të emërohet ndihmës sekretar shtetërorë për çështjet e Evropës dhe Euroazisë. (koha.mk)