Fakti që marrja e parave nga Plani Evropian i Zhvillimit të Qëndrueshëm është ngadalësuar, logjikisht mund të lidhet me veton bullgare për Maqedoninë e Veriut dhe ky është një lloj presioni politik të cilit Bullgaria nuk duhet t’i nënshtrohet, thotë Ivo Hristov, ish shef i kabinetit të presidentit Rumen Radev
Xhenur ISENI
Shkup, 31 maj – Edhe pse kryeministri bullgar Kiril Petkov ka një dëshirë të madhe për të hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut, ai nuk do ta bëjë këtë, sepse të nesërmen nuk do të jetë kryeministër dhe qeveria do të bjerë, thotë Petar Vitanov, shef i delegacionit socialistëve bullgar në Parlamentin Evropian. Sipas tij, qytetarët bullgarë nuk do të qëndrojnë indiferentë nëse qeveria vendos të heqë veton në gjendjen aktuale të negociatave. “Dua të besoj se nuk duhet të ketë asnjë lidhje me çështjen e Maqedonisë së Veriut me planin e zhvillimit të qëndrueshëm apo Shengen. Nuk mund të ketë tregti me këto gjëra, sepse ky është një vendim kyç me interes publik jashtëzakonisht të gjerë”, shtoi ai. Vitanov gjithashtu potencoi se nga ajo që kishte dëgjuar në takimet e tij ndërkombëtare gjatë javëve të fundit, kishte përshtypjen se janë bërë shumë përpjekje për heqjen e vetos bullgare. “E vërteta është se ka pritshmëri shumë të mëdha dhe për këtë ka presion serioz ndaj vendit tonë. Edhe nëse kryeministri dhe qeveria kanë një dëshirë të madhe për të hequr veton, kjo nuk mund të ndodhë, sepse qeveria do të bjerë nëse nuk ka përparim të dukshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve”, deklaroi ai.
Fakti që marrja e parave nga Plani Evropian i Zhvillimit të Qëndrueshëm është ngadalësuar, logjikisht mund të lidhet me veton bullgare për Maqedoninë e Veriut dhe ky është një lloj presioni politik të cilit Bullgaria nuk duhet t’i nënshtrohet, thotë Ivo Hristov nga grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në PE dhe shef i kabinetit të presidentit Rumen Radev në periudhën 2017- 2019 . “Këto para janë një detaj i vogël në rrugën historike të Bullgarisë, e cila drejtohet nga ngjarje shumë më të mëdha. Investimi në ruajtjen e historisë, gjuhës, kulturës, vetëbesimit tonë është shumë më i madh sesa investimi në ekonominë tonë problematike”, tha Hristov. Sipas tij, koalicioni qeverisës nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë për veton ndaj Maqedonisë së Veriut, sepse me këtë do të humbiste mbështetjen e jashtme. “Nëse nuk konfirmohet vetoja, atëherë qeveria do të humbasë mbështetjen e brendshme. Përballë kësaj situate dyfish të humbur, qeveria kërkon dikë që të ndajë përgjegjësinë. Në kurrizin e kujt duhet ta transferojë, ndërsa mbështetësi i parë dhe më i madh i kabinetit është presidenti, për shkak të besimit të madh tek ai dhe sepse ai i pengon të gjithë me autoritetin dhe reputacionin e tij të një njeriu që thotë të vërtetën që besojnë bullgarët“, potencoi Hristov.
Edhe ish zëvendëskryeministri i Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, lidhur me ngjarjet e fundit aktuale lidhur me veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar se Shkupi e gënjen veten nëse dëshiron t’i bëjë presion Bullgarisë përmes faktorit ndërkombëtar. Sipas tij, Bullgaria nuk do të bie në gju pavarësisht presionit nga faktori ndërkombëtar ndërsa sjellja e Maqedonisë është sikurse Bullgaria të ishte kandidat për në BE e jo ata. “Shkupi, si duket nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjen. Konsideron se, duke patur parasysh mbështetjen nga disa faktorë ndërkombëtarë, Bullgaria detyrohet të bie në gju. Shihni reagimet e politikanëve nga Shkupi. Ata sillen sikurse ne të ishim kandidatë dhe t’u lutemi atyre, e jo ata neve. Çështja ka arritur deri në një pikë sikurse duan të na shpallin luftë, sepse dukemi sikur ndonjë shantazhues. Vjedhësit e historisë bullgare janë në Shkup”, thotë Karakaçanov. (koha.mk)