Dua në fakt të shoh parti dhe kandidatë që shkojnë përtej bahçeve partiake. Të tillë që t’i mendojnë të gjithë, edhe maqedonasit, se mund ta votojnë. Të tillë, që të vënë në agjendë e në debat çështje e vizione pas të cilave lehtësisht mund të qëndrohet prapa. Të tillë që në platformën që krijon procesi përzgjedhës, por dhe fushata, të provokohet shoqëria që të shkojë përpara e përtej retorikave, mendësive po edhe politikave që as e si të nxisin zhvillim. E gjejmë dot? Ka të tillë? A mendon dot klasa politike shqiptare në këto dimensione?
Nga Nazim RASHIDI
Fjala “president” gjendet shpesh në përdorim këto ditë. Këtu në Maqedoni, por edhe në SHBA. Arsyeja, zgjedhjet presidenciale. Po, edhe këtu edhe në SHBA. E di, do thoni, po si në SHBA, kur zgjedhjet atje janë pas dy vjetësh. Në SHBA kanë filluar të shpalosen kandidatët e mundshëm për president për Partinë Demokratike. Për republikanët mandat të dytë do të kërkojë Donald Trump.
Por, pse e theksoj këtë fakt? Për të vetmen arsye sepse nëse tashmë ne kemi filluar të mësojmë se kush mund të jetë kandidatët për president të Partisë Demokratike në SHBA, këtu ende ka vetëm spekulime. Zgjedhjet ndërkohë janë pas pak javësh.
Dhe këtu dua të ndalem. Pse vallë nuk ka një shfaqje më të hapur për ata që kanë ambicie dhe disi një konkurrencë dhe një proces më demokratik ndër partitë. Në Maqedoni kësaj here ka disa dilema. E para, nëse do të ketë një kandidat “konsensual”, që për mua është një term i gabuar, prandaj dhe do ta përmend më tej “të përbashkët” mes partisë qeverisëse. Që do të ishte i pari fenomen politik ku parti nga etni të ndryshme të mbështesin një kandidat.
Dhe nëse, si më herët, do të ketë më shumë kandidat nga partitë. Për këtë variantin e fundit, realisht, nëse partitë do të shkojnë me kandidatë më vete, ata do të duhet t’i kishin shpalosur. Duke dhënë edhe shembullin e demokracisë së brendshme, por edhe duke ndihmuar publikun, apo edhe publiku ata, në shpalosjen e vizioneve dhe asaj se çfarë do bëjnë si president. Dihet, posti është më shumë ceremonial, por ja që aq pak pushtet që ka, doli se mund të shkaktojë shumë probleme dhe vështirësi. Shpalosja e kandidatëve me kohë, në fakt do të fillonte edhe ta gdhendte profilin e e presidentit që duan njerëzit. Me Ivanovin s’ka kuptim të krahasohet, por me vizionet e një realiteti të ri, ku vendi ka ndryshuar emrin, ku prespektivat integruese janë më të hapura, ku lobigjent dhe veprimet në arenë ndërkombëtare janë më se të mirëpritura.
Pra, çfarë presidenti duam? Sa më shumë kandidatë paraprakë, aq më shumë debate dhe aq më i qartë profili. E më pas gara do të ishte më reale. Por s’ka një gjë të tillë. Ka vetëm spekulime emrash, kryesisht nga blloku maqedonas dhe pak emra politikanësh shqiptarë që asnjëri prej tyre s’ka konfirmuar gjë. Nëse BDI dhe LSDM po shqyrtojnë një kandidat të përbashkët, duket e qartë se opozitat, si ajo shqiptare e si ajo maqedonase do të kenë kandidat të tyrin. Nëse VMRO thotë se do ketë një konkurs të brendshëm, një ashtu i vonë për mendimin tim. Sepse opinioni s’do ketë mundësi të ndikojë në profilin e mundshëm të kadidatit, po që në fakt mbase as që duan. Ajo shqiptare ndërkohë s’ka dhënë shumë detaje. As emra kandidatësh dhe as proces se si do të arrihet deri të kandidati. Publiku një gjë e di, që nuk do një president si Gjorge Ivanov. Por si do duhej të dukej një kandidat shqiptar, por edhe i zgjedhshëm dhe me atribute prej një burrështetasi? Sigurisht pyetje retorike, sepse të gjithë do japim me lehtësi cilësitë e një politikani ku në thelb do kishte dijen, integritetin dhe karizmën si anë të forta.
Por sërish, a përzgjidhen kandidatët me cilësitë e përmendura, apo gjithçka është një kalkulim partiak, ku gara shërben veç për të dëshmuar se sa vota ka partia përkundrejt rivalëve. Që kjo pastaj të përdoret si arsenal për zgjedhjet e përgjithshme. Dua në fakt të shoh parti dhe kandidatë që shkojnë përtej bahçeve partiake. Të tillë që t’i mendojnë të gjithë, edhe maqedonasit, se mund ta votojnë. Të tillë, që të vënë në agjendë e në debat çështje e vizione pas të cilave lehtësisht mund të qëdrohet prapa.
Të tillë që në platformën që krijon procesi përzgjedhës por dhe fushata të provokohet shoqëria që të shkojë përpara e përtej retorikave, mendësive po edhe politikave që as e si të nxisin zhvillim. E gjejmë dot? Ka të tillë? A mendon dot klasa politike shqiptare në këto dimensione? Nga ana tjetër, të njëtat virtyte do të doja t’i kishin edhe kandidatët e tjerë, qoftë edhe ata të përbashktit nëse dilet me një ofertë të tillë.
Dhe për këtë mundësi tani. Një kandidat i tillë, realisht do të shkurtonte “vuajtjet” për negociatat për mbështetje pas raundit të parë siç ka ndodhur. Një mundësi e tillë, që në start do kaliste profilin e kandidatit të mundshëm, sepse që të marrë mbështetjen e partive shqiptare, do të ishte e qartë se do duhej të kishte pikëpamje dhe qëndrime, por edhe figurë politike të pranueshme.
Është fakt se thuajse të gjithë presidentët e Maqedonisë janë zgjedhur në raundet e dyta nga votat e shqiptarëve. Atëherë, pse mos zgjidhen apo të ndikohet zgjedhja edhe kandidatët nga shqiptarët, që mos të përfundohet pastaj në presidentë a lla Ivanov.
Kjo nuk është një ide e pamundur më. Por procesi i arritjes deri tek kandidatët, cili do jetë, është thelbësore.
Pa diskutim që partitë bëjnë vlerësimet e tyre, jo vetëm se çfarë kandidati mund të sjellë fitoren, por edhe çfarë efekti do të ketë në të ardhmen një vendim i tillë. Por ne si qytetarë, besoj unë, do të duam që të kemi përzgjedhjen më të mirë nga kandidatët. Dhe më tej do të dalë natyrshëm edhe pyetja, se a duhet të jetë me çdo kusht një kandidat shqiptar, apo të kërkohet më i miri, përtej etnisë, parim që do vlente edhe për etnitë e tjera sigurisht. Nga lodhja e përgjithshme ku skena politike shpesh na ofron paaftësinë si ofertë, instinkti i parë është që na duhet aftësia. Në kontekst të situatave, nëse partitë ndahen në linja etnike, praktika tregon se presidenti do jetë maqedonas, nëse e shohim nga ky kontekst. Atëherë sërish instinkti thotë se duhet të jetë një i aftë, pavarësisht etnisë. Kryeministri Zoran Zaev tha se atij nuk i pengonte të mbështeste një kandidat të përbashkët i cili do të qe edhe shqiptar. Por partia e tij a është e gatshme? Eksponentë të saj në të kaluarën s’kanë qenë të prirur të pranojnë çështje më bazike të të drejtave të shqiptarëve. Përveç që ambiciet janë të shprehura qartë brenda partisë.
Por sërish dilema do të mbesë, shqiptar ose maqedonas, apo i aftë ose jo. Prap instinkti më anon nga aftësia, edhe pse i qartë se të gjitha çështjet do të ndikojnë procesin edhe të përzgjedhjes së kandidaturave, por edhe të vetë presidentit. Këtë më së miri e reflekton një nga emrat e përmendur si kandidat i mundshëm i përbashkët, Denko Malevski. I pyetur nëse e kishte nënën shqiptare, ai në një status në Facebook, jep një përgjigje duke mos treguar.
As mohonte e as pohonte. Profesorin e respektoj shumë, por më fal profesor, mund të jesh edhe shqiptar edhe maqedonas, ose dhe i përzier, këtë s’ka pse mos ta tregosh. Sepse do të doja gjykimi për garën e mundshme si president të jetë mbi aftësitë e tua. Por…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)