Presidenti Thaçi priti në takim zëvendëskryeministren bullgare, Ekaterina Zaharieva

Prishtinë, 19 tetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve te Jashtme te Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.  Presidenti Thaçi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria i ka dhënë Kosovës gjatë procesit të shtet ndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. “Bullgaria është partner strategjik i Kosovës”, u shpreh Presidenti Thaçi duke shtuar se “Bullgaria në vazhdimësi ka qenë një mbështetëse e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike”. “Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira bilaterale. Tani kemi nevojë për një bashkëpunim më të madh ekonomik ndërmjet të dyja vendeve”, ka theksuar Presidenti. Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve te Jashtme te Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva ka thënë se Bullgaria mbështet të gjitha përpjekjet për paqe e stabilitet në rajon. “Duhet të shikojmë kah e ardhmja në paqe e bashkëpunim”, u shpreh ajo. Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit të Bullgarisë.