Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), nënshkroi në emër të Republikës së Kosovës marrëveshjen mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Në një njoftim nga Zyra e Presidentit bëhet e ditur se me këtë rast, presidenti Thaçi ka thënë se “Kjo është një ditë e madhe në Washington DC për Kosovën. Kjo marrëveshje është një mjet i ri shumë i fuqishëm i mbështetjes për qytetarët e Kosovës, dhe se do të ndihmojë Kosovën në zbatimin e projekteve me MCC-në”.
“Ne po nënshkruajmë këtë marrëveshje me MCC-në, dhe po hapim një faqe të re të marrëdhënieve, të fokusuara në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit. Kjo do të ndihmojë Kosovën të themelojë një fondacion i cili do të investojë gati 50 milionë dollarë në një mënyrë shumë të fokusuar. Këto investime do ta ndihmojnë qeverinë e Kosovës dhe bizneset kosovare të merren me furnizimin me energji elektrike, me kursimin e energjisë dhe me forcimin e transparencës qeveritare për qytetarët”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai tha se që nga dita e parë e presidencës ka ndjekur procesin e MCC-së, duke vënë theksin se kjo marrëveshje dhe kjo ditë janë bërë të mundura vetëm me ndihmën e madhe të kongresmenit Engel dhe kongresmenëve tjerë. “Tani ne e kemi qeverinë e re, por si President i Republikës unë mund të konfirmoj që projektet e MCC-së, mbështeten nga të gjitha partitë politike dhe nga të gjitha institucionet. Shoqëria civile e Kosovës dhe sektori privat i Kosovës gjithashtu do të jenë elemente të rëndësishme të mbështetjes”, deklaroi Thaçi.
Nga ana tjetër ushtruesi i detyrës së shefit ekzekutiv të MCC-së, Jonathan Nash ka theksuar se MCC-ja u ndihmon qeverive të lidhin disa nga njerëzit më të varfër në botë me vende pune, tregje dhe mundësi. “Qeveria e SHBA-së, nëpërmjet MCC-së, do të punojë me Qeverinë e Kosovës për të zbatuar reformat politike dhe institucionale që rrisin transparencën dhe forcojnë sektorin energjetik të vendit”, tha ai.
Ndërkaq kongresmeni i SHBA-ve, Eliot Engel tha se “Kosova po ecën në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe ky partneritet i ri do të ndihmojë shtyrjen e vendit drejt këtij qëllimi”. Programi “Threshold” i MCC-së është përqendruar në fushat kritike për të ardhmen e Kosovës, dhe ai do të shpejtojë investimet në efikasitetin e energjisë dhe do të mbështesë përpjekjet për të promovuar një qeverisje efektive dhe llogaridhënëse.