Shkup, 24 shtator – Presidenti slloven Borut Pahor të premten dhe të shtunën do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, me ftesë të presidentit Stevo Pendarovski.
Pahor, siç njofton Kabineti i tij, do të takohet gjithashtu edhe me kryeministrin Zoran Zaev dhe me kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi, si dhe do t’u drejtohet deputetëve në shtëpinë ligjvënëse.
Temat kryesore të bisedimeve do të jenë përparimi i Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj evropiane dhe fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi shumëpalësh.
Është parashikuar që Pahor të vendosë kurorë lulesh në varrin e Goce Dellcevit në kishën Shën Spasi në Shkup, pas së cilës ai do të largohet për në Ohër ku do të takohet me policë sllovenë, të cilët u ndihmojnë kolegëve të tyre maqedonas në sigurimin e kufirit.
Gjatë vizitës, presidenti slloven do të shoqërohet nga ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe i Teknologjisë, Zdravko Pocivalshek dhe nga ministri i Mbrojtjes Matej Tonin.