Kur ka mundur Gjorge Ivanovi të falë “proviziashët”, kurse Cërvenkovski ta falë vagabondin Verushevski Junior, mundet Pendarovski të falë dikë që vërtet meriton, si psh. rojën e Kuvendit, i cili me asgjë nuk mund të lidhet me veprimet e dhunshme të 27 prillit 2017
Nga Daut DAUTI
1. IDEJA PËR RIGJYKIM NUK ËSHTË PËR T’U HEDHUR…!
Çdo reformë në gjyqësi ka një qëllim të deklaruar: gjyqësi të pavarur, sa më larg politikës.
Por, çdo hap i ri, sikur gjyqësinë e çon në përqafim të politikës. “Gjyqësia e kapur” e qeverisjes së Gruevskit, ose “Svarovski gjyqësia”, siç e quajtën pas përgjimeve telefonike ku dukej qartë një lloj subordinimi midis politikës dhe disa gjyqtarëve, duhej të “çkapej” me ardhjen e garniturës së re. Por a ndodhi pikërisht ashtu? Prokurorë dhe gjykatës të cilëve iu dha shansi të veprojnë “të pavarur” në një klimë të supozuar më të favorshme, sikur bënë garë që të impresionojnë pushtetarët e rinj. PSP-ja e famshme këtë e bëri edhe duke shkelur normat ligjore me voluntarizmin e vet e duke abuzuar edhe me mjete buxhetore. Këta prokurorë e gjykatës vetëm ndiqnin logjikën e njëjtë si më parë, që përcillnin imperativët politike, por dhe shkonin në ndonjë shkallë më të lartë të “impresionizmit” të politikës dhe medias.
Kështu duket se ndodhi dhe po ndodh me gjykimet lidhur me ndërhyrjen e dhunshme të 27 prillit në Kuvend. Ata të cilët u vunë para drejtësisë i shpallën terroristë dhe fituan dënime të larta. Edhe prokuroria e kënaqur, edhe gjykatësit të lumtur, por dhe pushteti…Terrorizëm, s’ka tjetër, unison edhe gjyqësia edhe politika. Vetëm opozita e shfronësuar pretendonte se ata nuk ishin terroristë. E kishte patjetër t’i mbronte, se ata ishin njerëzit dhe simpatizantët e vet, që i kishte futur në lojë…Për terrorizëm u akuzuan kuçi e maçi, e në mesin e tyre edhe një roje të parlamentit, i cili me asgjë nuk ishte fajtor, sepse ishte jashtë shemës së ndërhyrjes në parlament, kishte ndodhur atë natë rastësisht aty
Por, ja, prokuroria dhe gjyqësia e pavarur tash u gjet në “ofsajd”! Nga autoriteti më i lartë i shtetit, dëgjuam vlerësimin se akuza ndaj 27-prillsave është e tepruar, dënimet i kanë me meritë, porse nuk është dashur të akuzohen për terrorizëm! Presidenti vjen nga i njëjti subjekt i cili ishte i kënaqur nga akuzat për terrorizëm. Por, tash disa lëvizje politike në relacionin pushtet – opozitë(një lloj bashkëpunimi dhe nevojë për ndihmë të ndërsjellë), sikur kërkojnë një lloj rishikimi edhe të rastit të 27 prillit. Presidenti, i cili u pyet se a do t’i falte ata, u përgjigj se jo, porse duke relativiziuar veprën e tyre, i dha një “orientir” të ri drejtësisë, që nëse ka fakte të reja, të bëhet rigjykim…Tash vetëm mund të supozojmë se a do të futet përsëri gjykata dhe prokuroria në shemën e re dhe të ndjekë “imperativin” e establishmentit politik, i cili me këtë ndoshta dëshiron të kontribuojë edhe më shumë në relaksimin e atmosferës politike. Nëse e ndjek atë logjikë, a nuk dëshmon se gjyqësia nuk vepron në mënyrë të pavarur por ndjek politikën? Nëse nuk e ndjek, dënimet drakonike u mbeten edhe personave që nuk kanë lidhje as me terrorizëm(si vepër më e rëndë), e as me dhunën(si vepër më e butë).Në këtë rast ndoshta s’është keq të ndiqet logjika e shefit të shtetit, për rigjykim, për të vetmen arsye që në atë rigjykim, të dalë në pah e vërteta se një nga ata të dënuar, nuk ka lidhje as me terrorizëm e as me dhunë, po është viktimë kolaterale!
Ka kohë që më ka zënë goja lesh, siç thotë populli, duke përkujtuar vendimin skandaloz të gjyqit për t’i dhënë shtatë vjet burg personit që s’ka as erë as shi nga terrorizmi. Sepse nëse ka diçka që është e gabuar, është kur gjërat i përgjithësojmë dhe pastaj nuk i shohim nuansat. Në çdo vepër apo ngjarje, ka aktorë me pesha të ndryshme fajësie dhe se disa meritojnë të mos falen(ata që kanë ushtruar dhunë ose kanë bërë vrasje në tentim), e disa që nuk kanë ushtruar dhunë e që rastësisht kanë ndodhur në atë ngjarje, e u është ngjitur ndonjë faj pa faj, mund të falen. I tillë është rasti i rojës së Parlamentit, Abdulfeta Alimit, i cili është dënuar me 7 vjet burg ngase dyert janë hapur me çelësin e tij! Bile kur ia shqiptoi dënimin, gjykatësja e “ngushëlloi” se bile mirë ka kaluar me aq! Si në lojë fëmijësh, e fut njeriun shtatë vjet burg për asgjë dhe kur ta krahasosh atë dënimin skandaloz me rikualifikim të vrasjes me paramendim me aksident komunikacioni për Almirin e mitur, atëherë gjithçka e qartë se si funksionon shteti juridik.
Shpresoj lexuesit nuk ma zënë për të madhe që po u kthehem sërish e sërish këtyre defekteve të drejtësisë, sepse kur dikush nuk dëgjon me kohë, e pastaj më vonë vijnë te këto fjalë, atëherë ia vlen t’ua thuash se këtë ti e ke thënë kaherë. Si është e mundur që ata që kanë bërë VEPRIM TË DREJTPËRDREJTË në hapjen e dyerve(deputetët Mukovski, Zafirovski…), të jenë më pak përgjegjës dhe TË JENË LIRI( e dimë se ata u amnistuan për shkak se Qeveria kishte nevojë për votat e tyre për ta ndërruar emrin e shtetit në bazë të Marrëveshjes së Prespës!), kurse për rojën, i cili, kur ia kanë kërkuar deputetët çelësin, ai ua ka dhënë(a mund të mos ua jepte deputetëve?). Meqë shteti nuk ka pasur nevojë për votën e tij, nuk e përfshin në amnistinë me ligj, dhe e dënon me shtatë vjet burg?! Me gjuhën e kriminalistikës i bie që dikush dikujt ia ka dhënë revolen dhe ai që e ka marrë ka vrarë njeri, kurse gjykata e liron vrasësin dhe e dënon pronarin e revoles!
Prandaj, mendoj se Presidenti në rastin e parë duhet ta korrigjojë gabimin dhe ta falë personin Abdulfeta Alimin, i cili nuk ka lidhje me dhunën e 27 prillit dhe me kurrfarë vepre terroriste. Kur tash vetë Presidenti e ka përmendur, është e udhës që BDI dhe Lëvizja Besa, si parti që e kanë përkrahur kandidaturën e Pendarovski (jo për t’ua kthyer borxhin, por për të çuar drejtësinë në vend!), si dhe Aleanca për Shqiptarët dhe vetë lideri i saj, Zijadin Sela, të cilit pikërisht A. Alimi i ndihmoi në çastet kritike, kur huliganët e kishin lënë pa vetëdije, duke menduar se e kishin “kryer” “aktin” e tyre “patriotik”, t’ia kërkojnë me ngulm faljen. Le të rigjykohen të tjerët, le t’u rikualifikohet vepra, le të mos jetë terrorizëm po le të jetë dhunë dhe tentim vrasjeje për sulmuesit e Selës, por nga ky grup porositësish dhe realizuesish të sulmit, duhet të përjashtohet roja e Parlamentit…Dhe atë nuk duhet ta dekurajojë as qëndrimi negativ i Komitetit të Helsinkit që nuk pajtohet me të. Kur ka mundur Gjorge Ivanovi të falë “proviziashët” ose Cërvenkovski Verushevski juniorin, mundet Pendarovski të falë dikë që vërtet meriton.
2. MAQEDONIA S’ËSHTË LARG INDISË!
Merreni me mend të krahasohet I Vogli me të Madhin! Paramendoni I Vogli t’ia tejkalojë të Madhit! Ëndërr e kamotshme e Të Voglit. Vetëm s’ka ndonjë muaj e ndonjë javë, që I Vogli mposhti Të Madhin! Maqedonia, vrima e fundit e kavallit në futbollin botëror, mundi Gjermaninë , superfuqi, jo veç në futboll! Legjenda e Davidit kundër Goliatit ringjallet… Një mrekulli e llojit të vet, një kënaqësi e papërjetuar më parë, një ndjenjë që nuk përshkruhet, individuale e kolektive… Gjëra që ndodhin vetëm në përrallat kur Qerosi me mendjemprehtësinë e tij e mund Divin. (Odiseu mashtron Kiklopin gjigand me një sy…) Paramendoni tri titujt kampionë evropianë që arriti hendbolli ekipor, ai i femrave (Kometal-Gjorçe Petrov) dhe ai i meshkujve (Vardar)…Për të vërtetuar atë maksimën “gjithçka është e mundur në këtë botë”! Ndonjëherë si një rastësi (Maqedonia mund Gjermaninë në fushën e saj!), e ndonjëherë si fryt i punës dhe parave të investuara, të cilat doemos do të sjellin rezultate (Kometal-Gjorçe Petrov, Vardar)…Çaste kënaqësie që thua të zgjasin përjetë.
Por, këto që u përmendën më sipër vetëm na krijojnë iluzion, sepse përskaj shndritjeve të rralla, mbetemi aty ku jemi, vrima e fundit e kavallit në shumëçka, jo vetëm në Evropë por dhe në Ballkan nuk e di a jemi para dikujt për nga zhvillimi, varfëria, papunësia…Por, nëse në shumëçka kemi ngecur, në një plan tjetër jemi ndër tri vendet “kampionë” të botës në menaxhimin e murtajës moderne, Kovid-19-shit! Për këtë nuk na e shkon askush, veç dy-tri vendeve me udhëheqje më të “urtë” se menaxhuesit tanë të pandemisë. Dy milionë nuk maten me një miliardë, kjo dihet, ama statistikat për kokë banori janë ato që i bëjnë të krahasueshme. Dhe kështu, ato statistika shpesh na renditin në vend të tretë dhe gatisë një vit e gjysmë pas fillimit të pandemisë në botë, ende nuk e dimë e nuk e kemi kuptuar shkakun pse për kokë banori kemi aq shumë infektime dhe pse për nga vdekshmëria, me viruse më të dobët, kemi vdekshmëri si ai virusi indian që e ka shtruar për tokë Indinë e madhe 1.5 miliardëshe. Edhe Brazilin. A është se në këto vende virusit i shkojnë përshtati kushtet klimatike, gjaku “i ëmbël” i njerëzve që i tërheqë, apo diçka tjetër. Nga të gjitha nga pak, por me gjasë faktori njeri nuk është pa e futur gishtin pak. Në Brazil një kohë të gjatë kishim një injorim institucional ndaj rrezikut. Madje kryetari i saj e shpërfillte krejtësisht. Në Indi, autoritetet e shtetit deshën të jenë të mirëkuptueshëm ndaj qytetarëve të vet, duke mos ua prishur qejfin, i lëshuan për tubime masive fetare… Si rezultat i kësaj sot kemi kolapsin total të sistemeve shëndetësore dhe sheshet dhe rrugët janë shndërruar në kovid-qendra…
Po ne? Ne ende nuk e mësuam leksionin. Autoritetet tona shëndetësore, sillen sikur ta kemi mposhtur krejtësisht pandeminë dhe lejuan tubime e manifestime për Pashkët(ngjashëm veproi India dhe sot është në gjunjë!) dhe nuk do të ketë kufizime as për Bajram. Paramendoni gjithë ato falje të namazit nëpër xhami, me plot njerëz të papërgjegjshëm, të ulen pranë njëri tjetrit pa maska, e pastaj gjithë ato urime me marrje në grykë…Ose, paramendoni gjithë ato vizita familjare për të bërë bajram…sepse “shteti na e ka lejuar”! E shteti kur lejon, domethënë nuk ka rrezik! Dhe besimtarët kësaj i besojnë. Ndërkohë që Turqia, shpalli izolim 17 ditësh, duke mbyllur edhe xhamitë për pjesën e dytë të muajit të Ramazanit dhe të bajramit, pikërisht për ta kufizuar përhapjen e virusit…Nuk e besoj se autoritetet turke më pak i respektojnë besimtarët e tyre.
Ku është poenta e kësaj ngutje të autoriteteve tona shëndetësore me zbutjen e masave? Pa u bërë imunizimi masiv (vaksinim), çdo masë e zbutjes rikthen pandeminë në shifra të mëparshme. Ky do të duhej të ishte leksioni i parë që duhej ta kishim mësuar nga përvojat, si për autoritetet shëndetësore, si për qytetarët. Ndaj dhe kur ka tendencë të uljes së infektimeve, ky trend duhet të mbahet edhe një kohë përderisa të arrijmë vaksinim masiv, qoftë dhe me këto vaksinat jo gjithaq të verifikuara nga Kina, se sa të lejojmë tubime fetare, të cilat mund të bëjnë që pandemia të dalë jashtë kontrollit. Vaj halli nëse na vijnë variantet indiane ose afrikane të virusit, pas këtij britanik. Kur mundi të vijë nga Kina varianti i parë, mund të vijë edhe nga India ose Brazili, asgjë s’është e pamundur. Sa më tepër që zgjatë agonia, aq më tepër rriten shanset. E atëherë mund të kthehemi e të analizojmë se ku gabuam(sepse ne me statistikat dëshmojmë se vazhdimisht po gabojmë, siç i mëshojnë kokës tash autoritetet e Indisë) dhe të shprehim keqardhje që nuk kemi reaguar me kohë me masa më rigoroze.
E pse jemi ndër tri vendet me statistika më të këqija pandemike, deri tash askujt asnjë qime floku nuk i ka munguar në emër të përgjegjësisë…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)