Zgjedhja e Presidentit të radhës, do të jetë edhe një kompas politik për proceset e ardhshme. Ata që do ta kenë Presidentin, mund të shpresojnë t’i fitojnë edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por mundet edhe të testohen më fuqishëm në rëntgenin e dyfishtë – në atë të Brukselit dhe të njerëzve të këtushëm, të cilët përpos që duan një president të denjë, ata duan edhe paga e mirëqenie të denjë për të mos menduar të nxjerrin bileta njëdrejtimëshe, sa më larg këtij realiteti social e ekonomik
Nga Emin AZEMI
Fitorja e çdo kandidati është më pak e rëndësishme se klima sociale, politike e njerëzore që instalohet me këto zgjedhje presidenciale. Nuk është hera e parë që njerëzit dalin në zgjedhje. As hera e parë nuk është që ndonjë politikan i zakonshëm brenda natës bëhet President. Ky që është në ikje, madje ishte më pak se i zakonshëm, por doli dardhë me bisht.
Këto zgjedhje presidenciale janë pak më të ndryshme se ato pararendëset. Ato po mbahen në kushtet kur këtu ka një ndërrim pushteti dhe kur disa nga proceset politike kanë shënuar bilance të prekshme. Është mbyllur kontesti me Greqinë dhe vendi është shumë afër anëtarësimit në NATO. Perspektiva që paralajmërohet, me caktimin datës për negociata me BE-në, hapja e kapitujve dhe procesi i skriningut, i atribuohen një procesi të pakthyeshëm dhe çdo kush që do të bëhet President do ta ketë më lehtë të gjendet në një algoritëm të tillë ngjarjesh e kontestesh politike e gjeopolitike.
Por, ajo që do të duhej të jetë më i qenësishëm se vet procesi zgjedhor, është paqja në mes të njerëzve. Dikush do të bëhet President, por sa ia vlen nëse njerëzit hasmërohen në kufijtë e mosdurimit në mes veti. Edhe në të ardhmen do të ketë kandidat presidencialë që do të mbështetet nga ndonjë parti shqiptare, por gjithashtu edhe kandidat të pavarur do të ketë që do të mbështet nga ndonjë parti shqiptare, apo grup joformal njerëzish.
Fjalët rënda, të thëna kuturu, pa i menduar e analizuar mirë, mbesin si mbetjet inerte që i nxjerr uji brigjeve të lumenjve. Një ditë uji do të qetësohet, lumi do të kthehet në shtratin e vet, kurse mbetjet inerte do të ngelin t’i shohim çdo mëngjes e mbrëmje. Nëse kanë ndonjë erë të keqe, madje do të na detyrojnë t’i mbyllim edhe hundët.
Cilësia e çdo zgjedhjeje, përfshi edhe ato presidenciale, do të matet me kohëzgjatjen e qëndrueshmërisë së etikës udhëheqëse brenda mandatit pesë vjeçar. Nëse kjo qëndrueshmëri është e flashkët, e ndikueshme dhe e cenueshme nga jashtë dhe tunduese e jo përballuese nga brenda, atëherë e kemi të garantuar një kukull në postin e Presidentit.
Një figurë autoritare, që do të ishte shprehje e unifikimit të interesave etnike e qytetare dhe prishës i skemave politike partiake, atëherë mund të themi se ajo figurë i plotëson të gjitha kushtet me qenë një baba i barabartë për të gjithë.
Në fushatën presidenciale dëgjuam lloj-lloj premtimesh dhe deri më tani nuk ka dalur asnjë kandidat të thotë se unë do të jem i poshtër me njerëzit, me ata që do të më zgjedhin, e sidomos me ata që nuk do të më votojnë. Demokracitë e konsoliduara i kanë të limituara fushëveprimet institucionale të presidentëve dhe atje nuk zhvillohen beteja politike për “jetë e vdekje” se cili do të ulet në fronin presidencial. Përderisa nuk e marrim si normale edhe ne këtë punë, do të vazhdojmë edhe më tutje t’i varim shpresat te Presidenti i ardhshëm për ndonjë amnistim të mundshme, për ndonjë krim të mundshëm.
Zgjedhja e Presidentit të radhës, do të jetë edhe një kompas politik për proceset e ardhshme. Ata që do ta kenë Presidentin, mund të shpresojnë t’i fitojnë edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por mundet edhe të testohen më fuqishëm në rëntgenin e dyfishtë – në atë të Brukselit dhe të njerëzve të këtushëm, të cilët përpos që duan një president të denjë, ata duan edhe paga e mirëqenie të denjë për të mos menduar të nxjerrin bileta njëdrejtimëshe, sa më larg këtij realiteti social e ekonomik. (koha.mk)