Vetëm Presidenti i vendit në 2021 (4.5) mori notë më të lartë krahasuar me besueshmërinë tek institucionet qendrore të shtetit. Për Qeverinë, qytetarët janë shprehur se ka më shumë kontroll mbi Parlamentin sesa Parlamenti mbi kabinetin e Zaevit. Gjithashtu, shumica besojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar (51 për qind), ndërsa për 37 për qind të të anketuarve, jeta në vendin tonë po shkon në drejtimin e duhur
Zenel MIFTARI
Shkup, 4 prill – Afër 70 për qind e qytetarëve e mbështesin punën online të Parlamentit, por 37 për qind e tyre mendojnë se vetëm deputetët që janë pozitivë me virusin korona ose janë në vetë-izolim, duhet të punojnë online. Nga ana tjetër, një e katërta e të anketuarve nuk mendojnë se është e nevojshme puna online. Kjo tregohet nga sondazhi i kryer nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” në periudhën nga 17 shkurt deri më 10 mars 2021 ku morën pjesë 1010 qytetarë. Këtë anketë e mbështeti Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Pothuajse të gjitha institucionet morën rezultate nën mesataren në një shkallë nga 1-10, ku 1 do të thotë besimi më i ulët, dhe 10 besimi më i lartë. Shkalla më e lartë e besimit iu dha Presidentit të vendit me notë 4.5, pasuar nga Qeveria me 4.3 dhe Parlamenti me 4.2. Ndërsa, besueshmëri më të ulët mori gjyqësorit me 3.1. Krahasuar me vitin e kaluar, mund të vërehet se vlerësimet që qytetarët bënë atëherë, janë shumë afër vlerësimeve në vitin 2021.
Vetëm Presidenti i vendit në 2021 (4.5) mori një notë më të ulët krahasuar me vitin 2020 (4.6), e cila në fakt është nota më e ulët që ky institucion ka marrë në katër vitet e fundit (5.6 në 2019 dhe 5.1 në 2018). Në përgjithësi, nëse marrim parasysh analizat nga 2019 dhe 2018, mund të shihet se vlerësimet e të gjitha institucioneve kanë rënë ndjeshëm në dy vitet e fundit. Perceptimi i qytetarëve është që Qeveria ka më shumë kontroll mbi Parlamentin sesa Parlamenti mbi Qeverinë, siç parashikohet nga Kushtetuta. Më pak se dy të tretat, ose 60 për qind e të anketuarve thanë se Qeveria ka kontroll të plotë ose të pjesshëm mbi Parlamentin.
Rreth 74 për qind e të anketuarve pajtohen me deklaratën se krizat politike duhet të zgjidhen në Parlament, në vend të takimeve të mbyllura mes liderëve të partive politike. Shumica besojnë se jeta në vend po shkon në drejtim të gabuar (51 për qind), ndërsa për 37 për qind të të anketuarve, jeta në vendin tonë po shkon në drejtimin e duhur. Perceptimi për pjesëmarrjen e qytetarëve në punën e Parlamentit, si një nga mekanizmat për më shumë përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie të vetë institucionit ndaj qytetarëve – është jashtëzakonisht i ulët. Rreth 93 për qind e qytetarëve të anketuar nuk janë përpjekur të marrin pjesë në punën e Parlamentit deri më tani, për shkak të nivelit të ulët të informacionit. Gjysma e të anketuarve apo rreth 55 për qind, kanë përshtypjen se Parlamenti është në njëfarë mase i paarritshëm për pjesëmarrjen e publikut në punën e tij.
Rreth 70 për qind e qytetarëve mendojnë se përfaqësuesit e zgjedhur në Parlament gjithmonë fillojnë nga interesat e tyre personale ose të partisë së tyre politike, ndërsa gjysma e qytetarëve apo afër 50 për qind mendojnë se deputetët rrallë marrin parasysh interesat e qytetarëve. Ndryshe, në një shkallë vlerësimi nga 1 – më e dobëta dhe 5 më e mira, të anketuarit në hulumtimin e fundit vlerësuan punën e Parlamentit me një notë mesatare prej 2.6 e cila është e të njëjtit nivel me vitin 2020. (koha.mk)