Emocione, festë, lot gëzimi dhe presidenti i vendit e shpall 11 tetorin festë kombëtare. Asnjëherë më parë vendi i vogël i Amerikës Qendrore, Panamaja, nuk e kishte çuar nëpër mend, e jo më të provonte shijen e pjesëmarrjes në një Kupë Bote.
Humbja e papritur e Amerikës, dhe fitorja nga ana tjetër me përmbysje e Panamasë ndaj Kosta Rikës bëri që vendi me 4 milionë banorë të kualifikohej direkt për në “Rusi 2018”.
Edhe pse e kthyen ndeshjen me vështirësi, në fund gjithçka u shpërblye dhe festa e hareja shpërtheu. Ditën e sotme Presidenti Juan Karlos Varela e shpalli festë kombëtare, për të festuar këtë kualifikim historik.
Të gjithë lojtarët ishin të përfshirë në rezultatin e ndeshjes, jo vetëm ata që ishin në fushë. Një prej lojtarëve që po kryente nxehjen, vrapoi në një rast për të larguar topin, e për të ruajtur fitoren më me vlerë që ka arritur ndonjëherë në karrierë, edhe pse nuk ishte i përfshirë në ndeshje.