Skuadra e Ujpeshtit sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e gjashtë me 27-pikë të tubuara , shtatë pikë më pak se skuadra e Honvedit dhe Vashashit, të cilat ndajnë pozitën e dytë dhe të tretë, pozita që të qojnë në ndeshjet e Liga Evropës. Pas përfundimit të sezonit, drejtuesit e klubit hungarez kanë blinduar futbollistin e tyre më të mirë, shqiptarin Enis Bardhi, duke hedhur poshtë çdo mundësi që lojtari i tij në afatin kalimtar të janarit të largohet, ndërsa të paktën deri në verën e ardhshme do të jetë pjesë e Ujpeshtit. Këtë për gazetën KOHA e bëri të ditur edhe menaxheri i Bardhit, Meriton Berisha. “Presidenti i klubit as që dëshiron të dëgjojë për shitjen e 21-vjeçarit në ndonjë klub tjetër në afatin kalimtar të janarit. Të paktën deri në verë Enisi do të jetë pjesë e Ujpeshtit. Presidenti pret që njëherë të përfundojë Kampionati Evropian, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Poloni, dhe pastaj çmimi për Bardhin do të rritet, dhe atëherë me një dëmshpërblim më të madh, me siguri se do të ndryshojë klubin, edhe pse aktualisht ka edhe tre vite e gjysmë kontratë me klubin hungarez”, thotë për KOHA Berisha. Sipas tij, Bardhi pas paraqitjeve të mira te Ujpeshti, por edhe tek përfaqësuesja e Maqedonisë me të cilën u plasuan në Kampionatin Evropian, interesimi për klientin e tij është rritur shumë. “Të luash mirë si tek skuadra poashtu edhe tek në përfaqësuese e të mos mungojnë ofertat, kjo është e pamundur. Enisi kishte një sezon të mirë tek Ujpeshti, por edhe tek përfaqësuesja e Maqedonisë ku ishte njëri prej më të mirëve në suksesin historik, plasmanin në evropianin në Poloni. Pas kësaj ofertat na kanë vërshuar. Klubet nuk do ti zbulojë, por mund të them se ato ishin nga Kroacia, Turqia, Zvicra, por edhe nga Koreja. Ne presim ditë më të mira për Enisin, pasi ai është një punëtor dhe profesionist i vërtetë dhe lutemi që ai të ketë vetëm shëndet, pasi për të tjerat jemi të sigurt se gradualisht do të vijnë”, përfundoi Meriton Berisha, menaxheri i Enis Bardhit. Ndërkohë, sipas “transfermarkt”, aktualisht vlera e Enis Bardhit është 500 mijë euro, një shumë që nuk pritet të jetë problem për skuadrën e cila do të vendosë t’ia paguajë Ujpeshtit, duke i marr parasysh kualitetin që shkupjani e posedon. (koha.mk)