Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e përshëndeti konsensusin e arritur në Parlamentin e Maqedonisë dhe votimin në favor të ndryshimeve kushtetuese që do t’i japin jetë Marrëveshjes së Prespës dhe i çelin Maqedonisë përfundimisht rrugën euroatlantike.
“Ky është një vendim i rëndësishëm historik për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit”, vlerëson Meta.
Në mënyrë të veçantë Meta e përshëndeti përkushtimin e Kryeministrit Zaev, si dhe të faktorit shqiptar të Maqedonisë, që mundësuan konsensusin e nevojshëm dhe i hapën vendit rrugën pa kthim drejt NATO-s e BE-së.
“Shqipëria do të vijojë të mbështesë fuqimisht Maqedoninë e të gjithë fqinjët e saj në rrugën e integrimit euroatlantik”, nënvizon Meta.