Presidenti shqiptar, Ilir Meta u shpreh sot i gatshëm që të rishikojë dekretin me anë të të cilit ai ka caktuar datën 30 Qershor si ditën për mbajtjen e zgjedhjeve vendore dhe “të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike”.
Qëndrimin e tij zoti Meta e shprehu përmes një deklarate të gjatë lidhur me situatën e vështirë politike që po i paraprinë garës zgjedhore, ku forcat kryesore të opozitës, kanë vendosur të mos marrin pjesë e madje duke kërcënuar se nuk do të lejojnë mbajtjen e tyre.
“Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve”, shprehet Meta në deklaratën e tij.
Kreu i Shtetit i bëri sërish “thirrje palëve, të ndalojnë retorikat si reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit Gjerman. Të ndalojnë hartimet publike justifikuese dhe të angazhohen me sinqeritet dhe përgjegjshmëri për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë dhe të qëndrueshme”.
Ai e konfirmon gatishmërinë se nëse kjo është rrugëdalje të heqë dorë nga funsioni i presidentiti, respktivisht të japë dorëheqje.
Deklarata e Metës pason deklaratën ekskluzive për Dojçe Velen të Unionit demokristian dhe sociokristian (CDU / CSU), ku shprehet shqetësim për situatën në Shqipëri dhe ndër të tjera propozohet që të shtyhet data e zgjedhjeve.
Deklarata e tyre u përshëndet nga kryministri Edi Rama dhe lideri i PD-së opozitare Lulzim Basha.
Rama, përmes Tuiterit iu shpreh “shumë falenderues miqve të Shqipërisë dhe partnerëve politikë, për vëmendjen e tyre ndaj situatës politike.
“Krejt dakord me gjithçka kanë shprehur publikisht dhe për nevojën e dialogut pa kushte. Koha nuk pret sepse 30 qershori s’është në dorën tonë!”, shkroi Rama duke hedhur kështu poshtë hipotezën e shtyrjes së datës së zgjedhjeve.
Nga ana tjetër Basha në fejsbuk e konfirmoi gatishmërinë e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme , gjithashtu duke e mirëpritur angazhimin e Gjermanisë për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës europiane të Shqipërisë.(koha.mk)