PAOK-AEK, ndeshje vendimtare për luftën e titullit të ligës në Greqi, u pezullua në minutën e 90-të nga incidente serioze. Arbitri Georgios Kominis anuloi një gol për PAOK-un në limitin e kohës së rregullt dhe tifozët vendas reaguan fuqishëm ndaj këtij vendimi. Nuk u mbyll me kaq, sepse vetë presidenti i PAOK-ut, Ivan Savvidis, hyri në fushë për të ndjekur gjyqtarin, i cili shpejt shkoi në dhomat e zhveshjes me kolegët e tij. Në imazhet e kapura nga kamerat televizive, Savvidis mban një pistoletë në rripin e tij të brezit. Presidenti i PAOK-ut kërcënoi arbitrin dhe lojtarët e AEK-ut, të cilët u larguan nga fusha. Arbitri kishte akorduar tetë minuta shtesë në ndeshjen midis PAOK dhe AEK. Kryeqytetasit drejtohen nga trajneri spanjoll, Manolo Jiménez, i cili tha për “Carrusel Deportivo” të “Cadena SER”, se “presidenti i PAOK iu afrua gjyqtarit, i tregoi atij armën dhe i tha: këtu e keni përfunduar karrierën tuaj si arbitër”.