Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, iu bëri thirrje aleatëve të vendit të tij, që të bashkohen në adresimin e kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut. “Do të ishte në avantazhin tonë nëse shkoni vetëm duke treguar solidaritet me pjesën tjetër të botës. Jo vetëm sepse kemi shumë sfida dhe kërcënime, por sepse djaloshi i vogël në Korenë e Veriut po luan me armë të rrezikshme”, citon agjencia shtetërore e lajmeve filipinase të ketë thënë Duterte.
Duterte tha se aleatët më të fortë të vendit duhet të qëndrojnë të bashkuar në rast të rritjes së tensioneve në Gadishullin Koren. “Kështu që shpresoj në ditët në vijim të qëndrojmë të bashkuar, sidomos aleanca mes nesh, Filipineve, Amerikës dhe madje edhe Kinës. Koreja e Veriut është vetëm një fqinj i Kinës dhe çdo shkatërrim me përdorimin e bombave bërthamore, armëve bërthamore, do të shkatërronte menjëherë Azinë Juglindore. Dhe, Filipinet nuk janë në përjashtim”, është shprehur Duterte. Ai tha se vendet duhet të krijojnë një aleancë të fuqishme për t’i treguar udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un se “ai duhet të ndalojë së kërcënuari botën”. Ai po ashtu theksoi se vetëm Kina është e aftë të ndalë planet e Koresë së Veriut.
Manila zyrtare vazhdimisht i ka bërë thirrje Pyongyang-ut zyrtar që të ndërpresë veprimet e tij të rrezikshme dhe provokative që rrisin tensionet dhe mund të rrezikojnë jetë njerëzish. Si kryesuese aktuale e Asociacionit të Vendeve të Azisë Juglindore, Filipinet gjithashtu ofruan “të luanin një rol në krijimin e hapësirës diplomatike për të arritur dialog kuptimplotë” në tensionet e Gadishullit Korean.