Sofje, 30 korrik – Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev deklaroi se mandatin për formimin e qeverisë do t’ia japë partisë politike “Ka popull të tillë” sot në orën 17:00 sipas kohës lokale.
Radev deklaroi se u ka dhënë kohë partive parlamentare bullgare, por mund të shihet se dialogu konstruktiv po bie, informon korrespondenti i MIA-s nga Sofja. Në vend të dialogut në këtë situatë, ekziston shkëmbim i sulmeve drejtë ministrave teknikë, të cilët deri para pak kohësh ishin të ftuar që të qëndrojnë në qeverinë e rregullt.
Sipas presidentit Radev, Bullgaria po përballet me sfida për të cilat nevojitet që sa më shpejtë të ketë qeveri të rregullt dhe është koha që qytetarët bullgarë ta dinë se kush është kandidati për kryeministër dhe cilat janë qëllimet e vërteta të fituesit nga zgjedhjet e 11 korrikut, partia “Ka popull të tillë”.