Presidenti i Brescias, Masimo Celino, ra pre e një grabitje të dhunshme pasditen e së dielës. Dy persona e sulmuan para një supermarketi. Synimi i grabitësve ishte ora që Celino mbante në dorë. Ai arriti të shmangte grabitjen, pas reagoi shpejt, por nuk shpëtoi pa pasoja, teksa dëmtoi hundën, ndërkohë që fytyra e tij u mbulua me gjak. Ndërkohë së fundmi në një prononcim për mediat italiane, ai rrëfeu gjithë ngjarjen e ndodhur, duke u shprehur: “Po hyja në makinë dhe pashë para meje një person në motor, me kaskë dhe një maskë në fytyrë. Kur hapa makinën, u hapën edhe pasqyrat dhe pashë një person tjetër që po vinte nga pas me kaskën në dorë”, tregon Celino.
“Pata kohën e mjaftueshme për të reaguar, të kthehesha dhe të kapja kaskën për të evituar që të më godiste në kokë me të. Nuk e kisha kuptuar se isha lënduar, e kam kuptuar vetëm kur u ktheva në shtëpi, nga fytyra e gruas time kur më pa. Aty e kuptova që kishte diçka që nuk shkonte. Isha i gjithi i mbuluar me gjak në fytyrë, me disa gërvishtje dhe dhimbjen në hundë. Nuk më kujtohet as kur u lëndova, nëse ndodhi gjatë kacafytjes me një nga grabitësit apo nëse u përplasa me derën e makinës. Isha aq i inatosur, sa hipa në makinë dhe u largova pa bërë as denoncimin”, deklaroi ai.