Sao Paulo – Kryeprokurori i Brazilit Rodrigo Janot i dorëzoi një kërkesë Gjykatës së Lartë Federale për të ngritur një padi kundër presidentit të Brazilit, Michel Temer për veprat penale të “drejtimit të një organizate kriminale” dhe “bllokimin e gjyqësorit”.
Përveç presidentit Temer, në padinë e dorëzuar nga kryeprokurori Janot të cilën gjykata do ta shqyrtojë në ditët në vijim, gjenden edhe emrat e disa ministrave të cilët janë anëtarë të partisë Lëvizja Demokratike e Brazilit (PMDB). Në akuzat ndaj presidentit thuhet se ai ka bllokuar punën e gjyqësorit dhe se ka drejtuar një organizatë kriminale e cila është marrë me një sërë aktivitetesh të paligjshme dhe korrupsion në ndërmarrjet shtetërore siç është kompania e naftës Petrobras, kompania për energji elektrike Furnas, dhe bankat e shtetit Caixa Economica.
Prokurori Janot pohon se kjo organizatë kriminale ka bërë një fitim të paligjshëm prej 187 milionë dollarë nëpërmjet institucioneve publike. Kryeprokurori brazilian akuzoi presidentin Temer për korrupsionin pasiv në korrik të këtij viti, por dosja që u vendos në vota nuk mori numrin e mjaftueshëm në Parlamentin brazilian.