Diplomatja e lartë amerikane e SHBA-së në El Salvador, Jean Manes, ka thënë se ka vërejtur se “demokracia është dobësuar” në këtë vend, ku presidenti Nayib Bukele e ndryshoi profilin e tij në Twitter dhe shkroi “diktatori më ‘cool’ në botë”. Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka futur pesë gjyqtarë të Gjykatës Supreme të El Salvadorit në listën e personave jodemokratik dhe të korruptuar. Ata që janë në këtë listë u hiqen vizat amerikane, raporton AP.
Nga Ambasada amerikane u tha se veprimi erdhi pasi gjykatësit votuan pro pranimit të rizgjedhjes së presidentit “që qartazi nuk lejohet sipas Kushtetutës”. Bukele tha se vendimi i futjes së gjyqtarëve në listë “nuk ka të bëjë asgjë me korrupsionin”. Ai e quajti atë “politikë të pastër dhe forma më e ulët e ndikimit”. Ne fundjavë Bukele e ndryshoi profilin në rrjetin social në “diktator”, siç duket, si një reagim ironie i tij ndaj protestave kundër tij. Të martën, e ndryshoi sërish në “diktatori më ‘cool’ në botë”.