Presidenti amerikan që shpëtoi Shqipërinë (FOTO)

Deri në përfundim të LPB, njohuritë e Presidentit Wilson në lidhje me çështjen shqiptare, ishin të kufizuara. Këshillimi i parë që ai ka marrë në lidhje me Shqipërinë, ka qenë jo pozitiv për Shqipërinë dhe bëhet fjalë për memorandumin e datës 2 janar 1918, të përgatitur nga Mezes, Miller dhe Lippman, në të cilin rekomandohej ndarja e Shqipërisë, mbasi ky vend përfaqësonte një terren të intrigave të fuqive të mëdha

 

Nga Romeo GURAKUQI

Sivjet mbushën 100 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes Shqipërisë dhe SHBA dhe 102 vite nga shpëtimi i Shqipërisë Londineze prej copëtimit të dytë. Rikonfirmimi ndërkombëtar i shtetit shqiptar u arrit falë përpjekjeve titanike të elitës së vetëdijshme kombëtariste vendase dhe ndërhyrjeve vendimtare të Presidentit Woodrow Wilson. Cilat kanë qenë rrethanat politike dhe ndërkombëtare të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe cilët qenë faktorët, që ndikuan në ndërhyrjen amerikane në ndihmë të vendit të lënë pa mburojë në Adriatik, pas dezintegrimit të Austro-Hungarisë?

Advertisements

Fundi i Luftës I dhe tre vitet që e pasuan, përbëjnë kohën në të cilën rinisi procesi i themelimit të shtetit shqiptar në aspektin e brendshëm institucional dhe në planin e rivendosjes si subjekt i së drejtës ndërkombëtare: rinjohja e statusit shtetëror dhe e kufijve të Shqipërisë nga fuqitë fituese dhe shtetet e Lidhjes së Kombeve. Themi rinisë, sepse përpjekjet e para të brendshme në vitet 1912- 1914, u fundosën nga trazirat sociale, politike dhe fetare, gjegjësisht nga kryengritja e Shqipërisë së Mesme, nga përpjekjet uzurpatore të Esad Pashë Toptanit, si dhe nga aktet që pasuan fillimin e LPB (Traktati i Fshehtë i Londrës).

Pavarësisht se pushtimet e vendeve fqinje dhe lëvizja pro otomane fshinë strukturat e shtetit shqiptar, në kohën e kontrollit austro-hungarez (1916- 1918), shqiptarët përjetuan periudha të qeta, në të cilat jeta sociale, arsimore, kulturore dhe administrative pësoi zhvillime në orientimin përparimtar. Hyrja e trupave austro-hungareze u mirëprit nga një numër shqiptarësh për shumë arsye: Së pari, këto trupa nxorën jashtë Shqipërisë, Malësisë dhe Kosovës trupat pushtuese serbe dhe malazeze; së dyti, për shkak se kjo perandori ka qenë mbështetësja themelore e rilindjes identitare arbnore dhe arkitektja kryesore e krijimit të shtetit shqiptar më 1912-13; së treti, në Shqipëri austriakët garantuan një autonomi të kufizuar të brendshme, nën të cilën u krijua një administratë civile e përbërë nga shqiptarë dhe në gjuhën shqipe, u ndërtuan një numër rrugësh dhe urash, u ndërtua dekovili, u financuan dhe u mbajtën shkollat shqipe, u ndërtua në Shkodër Komisia Letrare si akademia e parë e shkencave, u mbështetën botimet e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe dhe studentët shqiptarë u dërguan në shkollat austriake.

Dezintegrimi i Perandorisë Austro-Hungareze në përfundim të Luftës së Parë Botërore u hoqi shqiptarëve në përgjithësi dhe katolicizmit shqiptar në veçanti, mbrojtësin historik të të drejtave të tyre, pikërisht në momentin që ky vend u çlirua nga pesha e rëndë që ushtronte mbi Shqipërinë që po rilindte, Rusia Cariste, mbrojtësja e elitave shoviniste sllave dhe greke në Ballkan. Shqiptarët u gjendën në momentet e para të fillimit të bisedimeve të paqes në Paris, në një pozicion shumë të vështirë. Patriotët shqiptarë u gjendën të çorientuar pas LPB dhe nganjëherë ranë edhe viktima të reflekseve të gabuara politike. Mbi të gjitha, zëvendësimi i orientimit proaustriak me atë proitalian, nuk rezultoi i goditur, si për shkak synimeve krejt të ndryshme që mbarte Italia në Shqipëri, ashtu edhe për shkak të dallueshmërisë në shkallën e kuptueshmërisë dhe ndjeshmërisë ndaj çështjes shqiptare që ekzistonte mes politikanëve austriakë dhe atyre italianë.

Megjithatë, për herë të parë në këto vite, në arsyetimin e mendjeve më të shquara vendase, filloi të përvijohej bindja për një orientim të ri të Shqipërisë së re në politikën e jashtme: orientimi anglo-amerikan, d.m.th., nevoja e gjetjes së mbështetjes nga Mbretëria e Bashkuar, apo edhe nga SHBA, vende që nuk do ta cenonin kurrë pavarësinë, përkundrazi do ta ruanin të paprekur atë nga ndërhyrjet e fqinjëve pa frena. Një numër faktorësh të lidhur me formacionin kulturor dhe politik bënë që zëri në mbrojtje të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris të mos jetë një, e vizioni i rindërtimit të Shqipërisë se re, në disa segmente delegacionesh jo qeveritare, jo ai që duhej të ishte. E gjithë kjo ka ndikuar në krijimin e një ndjeshmërie minimale në vendimmarrjen e paqëbërësve të mëdhenj dhe në planin e brendshëm, në fragmentarizimin e qeverisjeve, si në aspektin hapësinor, ashtu edhe në atë kohor (qeveria e Durrësit e më pas, ajo e dalë nga Kongresi i Lushnjës, me qendër në Tiranë).

Mbi të gjitha, mosgjetja e konsensusit të brendshëm për të ndërlidhur Shqipërinë e viteve 1918 -1920 me atë të krijuar në vitet, 1912-1914, në pikëpamje institucionale (vijimi i kreut të shtetit), dëmtoi rëndë përpjekjet për rindërtim paqësor, logjik dhe të monitoruar të institucioneve kushtetuese shtetërore, krijoi pështjellim të brendshëm në atë që mund të quhet klasë politike shqiptare për një periudhë gati 10-vjeçare, krijoi hapësirë më të madhe për ndërhyrje të fqinje në dëm të Shqipërisë, ndikoi në zgjatjen edhe për tre vite të procedurave, fillimisht politike e më pas ligjore, të zgjidhjes së statusit ndërkombëtar dhe kufijve të shtetit shqiptar.

Shqipëria pas Luftës së Parë Botërore ka qenë një vend në pritje, një vend që pritej të bëhej, të përcaktohej dhe të ripranohej nga Europa si entitet më vete dhe pjesë e kontinentit. Çështja Shqiptare në vitet 1919-1921 u trajtua në tri instanca ndërkombëtare, me radhë dhe paralelisht: në Konferencën e Paqes së Parisit, në Lidhjen e Kombeve dhe në Konferencën e Ambasadorëve. Shqipëria dhe çështja e saj, në këtë shqyrtim të gjatë ndërkombëtar, u lidhën në mënyrën më të ngatërruar me një sërë aktesh pararendëse ndërkombëtare dhe me nyjën e vështirë të një diplomacie ende të fshehtë, që vështirësisht po hapej në një botë të ndryshme. Pavarësisht se vendi ynë ishte viktimë e pushtimeve të njëpasnjëshme të shteteve ndërluftuese gjatë LPB dhe nuk kishte të bënte fare me palët në konflikt, ai u trajtua njëlloj si vendet humbëse, d.m.th. pretendimet e përfaqësuesve të Shqipërisë për njohjen e shtetit në kufijtë kombëtarë, nuk u morën në konsideratë. Madje, në diskutim të rrezikshëm u vendosën kufijtë e Shqipërisë së vitit 1913.

Problemi i Shqipërisë nuk është trajtuar si një problem me vete në Konferencën e Paqes, por si pjesë e problemeve madhore, me të cilat u morën paqebërësit e mëdhenj. Pse ndodhi një përzierje e tillë? Duhet të kuptojmë se pavarësisht nga Doktrina e Re që Presidenti Wilson promovoi, një pjesë e rëndësishme e problemeve të mbartura dhe të lindura pas Luftës, vazhduan të trajtohen me parimet e Diplomacisë së Vjetër. Dhe është e kuptueshme që në këtë moment tranzicioni mes dy konceptimeve të punës së diplomacive, sfidat të merrnin trajtime të dyfishta. Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin që, me fillimin e punës së Konferencës së Paqes, Aleatët nuk kishin arritur ndonjë marrëveshje të veçantë në lidhje me Shqipërinë.

Për Çështjen Shqiptare, të përfshirë brenda Çështjes së Adriatikut apo Çështjes Greke, nuk është arritur ndonjë rezultat konkret pozitiv gjatë gjithë vitit 1919. Çështja shqiptare nuk u arrit të zgjidhej në fakt nga Konferenca e Paqes së Parisit, por në këtë konferencë Shqipëria nuk u copëtua. Megjithatë, italianët e mbajtën Shqipërinë të pushtuar deri në gushtin e vitit 1920, kur shqiptarët u ngritën kundër tyre dhe i hodhën ata në det. Pas këtyre zhvillimeve dhe pas Protokollit Paraprak të 2 gushtit 1920, falë politikës së ndryshme të Kryeministrit Giolitti, italianët u tërhoqën ushtarakisht nga Shqipëria, por filluan të zbatojnë një politikë të depërtimit të suksesshëm ekonomik dhe gradualisht edhe politik. Jugosllavët nga ana e tyre, përveçse bënë inkursione të rëndësishme ushtarake brenda vendit, mbajtën deri në fillim të vitit 1922 një rrip të ngushtë toke, që shpeshherë shkonte deri në 15 km në brendësi të kufirit shqiptar të vitit 1913. Trupat greke mbanin në zotërim një numër fshatrash në ish Kazanë e Korçës.

Pyetja është, cili ka qenë roli i SHBA në ndihmë të kësaj Shqipëria kaq të cenuar? Deri në përfundim të LPB, njohuritë e Presidentit Wilson në lidhje me çështjen shqiptare, ishin të kufizuara. Këshillimi i parë që ai ka marrë në lidhje me Shqipërinë, ka qenë jo pozitiv për Shqipërinë dhe bëhet fjalë për memorandumin e datës 2 janar 1918, të përgatitur nga Mezes, Miller dhe Lippman, në të cilin rekomandohej ndarja e Shqipërisë, mbasi ky vend përfaqësonte një terren të intrigave të fuqive të mëdha. Nga ndarja e Shqipërisë, sipas memorandumit në fjalë, duhej të përfitonte Mali i Zi për rajonin e Shkodrës, Serbia të gjithë pjesën qendrore me Durrësin dhe Greqia pjesë jugore të Shqipërisë. Për shkak të këtij këtij raporti të parë jo të thelluar dhe të pandjeshëm ndaj vendit ilirik, pozicioni fillestar i SHBA në Konferencën e Paqes në Paris ka qenë si më poshtë: a. Shteti i pavarur i Shqipërisë duhej të ishte nën mandatin italian, në kushte të atilla, që të parandalohej shfrytëzimi ekonomik dhe ushtarak i vendit, ose kolonizimi i tij; b. Qyteti i Vlorës, me një hinderland të kufizuar, i mjaftueshëm vetëm për të përballuar nevojat e veta thelbësore ekonomike dhe ngushtësisht i nevojshëm për sigurinë, duhej t’i kalonte Italisë në sovranitet të plotë dhe se territori rreth e qark Vlorës duhej të asnjanësohej; c. Jugosllavët duhet të kishin të drejtën të ndërtonin dhe operonin hekurudhën në veri të gjerësisë gjeografike 41° 15’ dhe se ata duhej të kishin gjithashtu të drejtën të përmirësonin lundrimin në lumin e Bunës.

Mirëpo, falë një numri ndërhyrjesh të rëndësishme me ekspertizë të thelluar, njohuritë e Presidentit Wilson në lidhje me çështjen shqiptare do të vijnë duke u plotësuar me kalimin e kohës, e për rrjedhojë, qëndrimi fillestar amerikan ndaj çështjes shqiptare do të pësojë ndryshime rrënjësore me kalimin e muajve dhe viteve. Në sajë të këtij qëndrimi të ri të qeverisë amerikane mund të themi se u arrit, më së shumti, shpëtimi i Shqipërisë, d.m.th., i kufijve të vitit 1913, ndryshimi i vizionit fillestar dhe kundërshtimi i fuqishëm i marrëveshjes së 14 janarit 1920, në mes kryeministrave Lloyd George, Clemenceau dhe Nitti. (Kjo marrëveshje parashikonte që Italia duhej të merrte të gjithë Istrian dhe Fiumen (Rjeken), Jugosllavia në këmbim duhej të merrte Shqipërinë Veriore, ndërsa pjesa tjetër e vendit duhej të ndahej në bazë të Marrëveshjes Tittoni – Venizelos)

Kështu, kthesa e parë pozitive që ka ndryshuar rrjedhën, së paku të trajtimit të problemit shqiptar, ka ardhur nga nota amerikane e 6 marsit 1920, në bazë të së cilës kërkohej që çështja shqiptare të mos përfshihej në diskutimet e përbashkëta në mes Italisë dhe Jugosllavisë. Gjithashtu, Presidenti Wilson nuk e aprovoi me këtë rast që tokat shqiptare në Veri dhe në Jug të përdoreshin si kompensime territoriale për toka që Jugosllavia dhe Greqia ishin privuar diku tjetër. Ndërhyrja e qeverisë amerikane përbën goditjen e parë të fuqishme ndaj Traktatit të Fshehtë të Londrës, e njëkohësisht, një zhvlerësim të parë të Marrëveshjes Titoni-Venizelos. Në thelb, këmbëngulja e Presidentit Wilson, në zbatimin e parimit të vetëvendosjes, çoi në kapitullimin e politikave të pasinqerta italiane në lidhje me Shqipërinë, që në tre muajt e parë të vitit 1920. Kjo ndërhyrje bëri që plani i deriatëhershëm britaniko-franco-italian për ndarjen e Shqipërisë të arkivohej dhe Konferenca e Paqes të mbyllej pa arritur ndonjë marrëveshje për Shqipërinë. Në këtë mënyrë, praktikisht, Shqipëria i shpëtoi copëtimit, por problemet e saj mbetën në tavolinën e diskutimeve mes Fuqive fituese.

Më 1 tetor 1920, DASH i kërkoi FO të bashkëpunonte në një përpjekje për të rregulluar një zgjidhje të arsyeshme dhe të drejtë të çështjes shqiptare. Qeveria amerikane kërkonte që një zgjidhje e shpejtë t’u jepej një vargu çështjesh që kishin lindur për sa i përket Shqipërisë. DASH ishte në të mirë të krijimit të një Komisioni Ndëraleat, për të hetuar shkaqet e vështirësive shqiptare si edhe të bënte rekomandimet në Këshillin e Ambasadorëve për një përcaktim përfundimtar të kufijve të Shqipërisë. Gjatë përcjelljes së komunikimit të mësipërm, i ngarkuari më punë në ambasadën amerikanë në Londër, Mr. Williams, e informoi zyrtarin e lartë të FO, Mr. Nicolson-in, se Departamenti i Shtetit ishte jashtëzakonisht i interesuar në çështjen shqiptare dhe se nuk do të njihte ndonjë zgjidhje, së cilës kjo qeveri nuk do t’i jepte paraprakisht aprovimin e vet.

Më datë 4 tetor 1920, ambasadori britanik në Washinton D.C., Sir A. Geddes-i, zhvilloi një bisedë të gjatë me Ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, gjatë të cilit, ky i fundit, i bëri me dije se presidenti amerikan Wilson ishte shumë në ankth të dinte skemën që duhej të adoptohej për çështjen e Shqipërisë dhe se, ai gjithashtu, kërkonte që shteti i pavarur shqiptar duhej të krijohej brenda kufijve të atillë që do të bënin të mundur ekzistencën politike dhe ekonomike të këtij vendi.

Ndryshimi i qëndrimit amerikan, sipas mendimit tonë, ka pasur katër përbërës të rëndësishëm: së pari, ai i lidhur me filozofinë që e ka drejtuar politikën e jashtme amerikane në këtë kohë, që është filozofia e lirisë dhe e vetëvendosjes së popujve; së dyti, skuadra e ekspertëve amerikane në bisedimet e paqes, erdhi duke e zgjeruar nivelin e njohurive teknike të përbërësve vlerësues për Shqipërinë, përmes ndryshimit të ekipit të ekspertëve; së treti, një ndihmesë e spikatur duhet të konsiderohet ndërmjetësimi i Papës Benedikti XV (pas audiencës me Imzot Luigj Bumçin), autoriteti moral i të cilit ka qenë natyrisht i padiskutueshëm; së katërti, një kontribut të pamohueshëm ka dhënë komuniteti ortodoks i Shqipërisë që banonte në SHBA, për ndriçimin e realitetit etnik-kulturor dhe politik në Shqipërinë e Jugut, e në radhë të parë emigracioni shqiptar në SHBA nga Rumania dhe në mënyrë të spikatur vëllezërit Faik dhe Mehmet Konica. Përpjekjet e shumë shqiptarëve të emancipuar dhe largpamës, janë përqendruar sidomos tek SHBA. Presidentit Wilson, që në fillim të vitit 1919, i janë dërguar memorandume, në të cilat i kërkohej të merrte në dorë fatin e popullit shqiptar dhe të ishte mandator i organizimit dhe arsimimit të Shqipërisë. Memorandumet shprehnin besimin se vetëm Amerika, mund ta shpëtonte situatën dhe të siguronte paqen në Adriatik: “SHBA janë shpëtimtarët tanë”.

Një numër i madh prej shqiptarëve të shquar shprehnin në këtë kohë dëshirën që ky mandat mbi Shqipërinë e re duhej t’i jepej SHBA, një fuqie që shqiptarët e konsideronin të ishte pa ndonjë interes të vetin në këtë vend. Një Memorandum me shpjegime për nevojën e përfshirjes së një Fuqie të Madhe dhe të painteresuar në Ballkan dhe mbi nevojën e dhënies së SHBA-së të mandatit mbi Shqipërinë, e ka paraqitur më 19 shkurt 1919 edhe misionari Telford Erickson. Mandati amerikan mbi Shqipërinë, sipas tij, do të mirëpritej prej popullsisë dhe do të përbënte një shërbim të paçmuar në zhvillimin e vendit. Mandati amerikan duhej të përfshinte ish-vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës, duhej të shtrihej në dy vjet, pas të cilave kufijtë e Shqipërisë me Serbinë dhe Greqinë duhej të përcaktoheshin prej Komisionit të Lidhjes së Kombeve. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë se, Qeveria e SHBA nuk kishte qenë firmatare e një marrëveshjeje të fshehta mes fuqive të Antantës gjatë LPB dhe Komisioni Amerikan i Bisedimeve të Paqes në Konferencën e Paqes, ruajti lirinë e veprimit në Çështjen e Adriatikut dhe në Çështjen Shqiptare.

Mirëpo, në këtë lumë diskutimesh në nivelet diplomatike, lind edhe një dritë, hapet edhe një dritare e dytë pro Shqipërisë, e cila do tërheqë në kahun pozitiv njohjen e shtetit dhe kufijve minimalë të tij, d.m.th. kufijve të vitit 1913. Bëhet fjalë për pranimin në Lidhjen e Kombeve, ngjarje politike kjo, që e vuri në ndërvarësi juridike detyrimin e Fuqive Aleate për zgjidhjen e problemit të statusit dhe kufijve dhe njohjen e Shqipërisë si shtet sovran dhe i pavarur. (panorama.al)