Shkup, 5 mars – Deri më 21 mars të gjithë kandidatët që duhet të garojnë në zgjedhjet presidenciale të 21 mars duhet të deponojnë kandidaturat e tyre të shoqëruara me 10 mijë nënshkrime në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), ndërsa pas verifikimit të tyre, më 1 prill fillon fushata për zgjedhjet presidenciale, në të cilën kandidatët do të paraqesin platformat e tyre elektorale, shkruan gazeta KOHA.
Përveç, Stevo Pendarovskit si kandidatë i përbashkët i partive të shumicës parlamentare (LSDM, BDI, PDSH, ALTERNATIVA etj.), Gordana Siljanovskës e cila mbështet nga VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe partitë e koalicionit të saj, në garë do të jetë edhe Blerim Reka, kandidat i pavarur i mbështetur nga Aleanca për shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja BESA.
Që të tre kandidatët sipas informacioneve që liferohen nga shtabet e tyre, tanimë i kanë grumbulluar nënshkrimet e nevojshme.
Por, cili ka qenë numri i votave që kanë marrë kandidatët shqiptarë që kanë qenë në garë presidenciale që nga viti 1999 e deri në vitin 2014.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1999 (rrethi i parë), kandidati i PDSH-së, Muharem Nexhipi ka arritur të marrë 155.978 vota, ndërsa Muhamed Halili i PPD-së, 45.731 vota. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004 (rrethi i parë), kandidati i BDI-së, Gëzim Ostreni, ka marrë 134.208 vota, ndërsa Zudi Xhelili i PDSH-së, 78.714 vota, informon gazeta KOHA.
Ndërkohë, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009 (rrethi i parë), kandidati i Demokracisë së Re (DR) i cili ishte edhe kryetar i kësaj partie, Imer Selmani ka marrë gjithsej 147.547 vota, Agron Buxhaku i BDI-së, 73.629 vota, Mirushe Hoxha e PDSH-së, 30.225 vota. Ndërsa, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014 (rrethi i parë), kandidati i vetëm shqiptar, Iljaz Halimi nga rradhët e PDSH-së, ka marrë 38.966 vota, ndërsa BDI në këto zgjedhje ka bërë fushatë me moton jopresidentit të njëanshëm, duke kërkuar një kandidat konsensual, të cilin në këto zgjedhje presidenciale e sheh në figurën e Stevo Penadrovskit. (koha.mk)