Presidenti Ilir Meta, i pyetur nga media në lidhje me arsyen e mungesës së përgjigjes së drejtpërdrejte ndaj pyetjes së deputetit, Adnor Shameti sot në Komisionin Hetimor se: “A ishte Kreu i Shtetit, në konflikt interesi me vendimin për të shtyrë datën e zgjedhjeve?”, zëdhënësi Tedi Blushi ka sqaruar se pse Kreu i Shtetit shmangu qëllimisht dhënien e një përgjigjeje, ndërsa tregoi të gjitha arsyet shpjeguese.
Sipas Blushit, arsyet se pse Meta zgjodhi të mos i përgjigjej pyetjes së Shametit kishte të bënte me ruajtjen e atmosferës konstruktive të mbledhjes ku ishte ftuar, por edhe për konfliktin e interesit të vetë deputetëve.
Sqarimi i zëdhënësit, Tedi Blushi:
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, qëllimisht e shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj pyetjes së deputetit në fjalë, për të mos e dëmtuar atmosferën konstruktive të mbledhjes ku ishte i ftuar.
Kjo për arsyen se të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë edhe ata që ankohen sot për dekretin e shfuqizuar të 30 qershorit, janë minimalisht në konflikt të dyfishtë dhe të drejtpërdrejtë interesi.
Së pari, sepse çdo deputet i Kuvendit e ka fituar mandatin e tij nga një proces zgjedhor i shtyrë, nga data 18 qershor 2017 në 25 qershor 2017, me Dekretin Nr. 10351, datë 21.05.2017, të ish-Presidentit Nishani.
Së dyti, deputetët e pranishëm sot në seancën dëgjimore, janë njëherazi edhe votues të rezolutës së Kuvendit të datës 13 qershor ku është shprehur gjykimi mbi aktet e Kreut të Shtetit, edhe anëtarë të komisionit të posaçëm, papajtueshmëri kjo që është e ndaluar nga rregullorja e Kuvendit dhe ligji.
Së treti, vetë deputeti që adresoi pyetjen, është në një situatë të katërfishtë të konfliktit të interesit:
1.Ka marrë mandatin nga zgjedhje të shtyra me dekret të Presidentit.
2.Ka votuar pro miratimit të rezolutës së datës 13 qershor 2019.
3.Ka nënshkruar kërkesën fillestare për verifikimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.
4.Aktualisht është edhe kërkues, edhe vlerësues i kërkesës që po vetë ka firmosur, për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.