Tiranë, 5 dhjetor – Në shenjë nderimi të figurës së ish-presidentit amerikan, Xhorxh H.W. Bush, i ndarë nga jeta të premten në moshën 94-vjeçare, Presidenca shqiptare ka ulur flamurin në gjysmështizë gjatë kësaj të mërkure, ditë kur në SHBA do të bëhet edhe ceremonia private mortore e tij.
“Në nderim e mirënjohje të veprës së vyer të Presidentit të 41-të të SHBA-ve, Xhorxh H.W. Bush ndaj ndryshimeve të para demokratike në Shqipëri e qëndrimit të tij të palëkundur për liritë e të drejtat e shqiptarëve, veçanërisht në Kosovë, në vlerësim e respekt të thellë ndaj betejës së tij të palodhur për lirinë dhe shembjen e Murit të Berlinit, Flamuri Kombëtar në Institucionin e Presidencës është ulur sot në gjysmështizë”, njoftoi presidenti Meta përmes një statusi në rrjetet sociale.
Në Kosovë sot është shpallur ditë zie për të nderuar figurën e ish-presidentit amerikan Xhorxh H.W.Bush.
Bushi i vjetër u nda nga jeta të premten, ndërsa prej vitesh vuante nga Parkinsoni dhe qëndronte në karrocë me rrota. Ai shërbeu në krye të Shtëpisë së Bardhë në vitet 1989-1993.