Aktualisht po luhet finalja e Kupës Libertadores mes River Plate dhe Boca Juniors. Për shkak të tensionit në Argjentinë, kjo ndeshje po luhet në Madrid të Spanjës. Tifozët argjentinas të të dyja skuadrave kishin bërë përgatitjet që të jenë prezentë në “Bernabeu”, pavarësisht largësisë. Megjithatë, një tifozi të Bocas i ka ndodhur ajo që ai nuk e kishte imagjinuar.
Ai kishte organizuar gjithçka deri në detaje për këtë udhëtim, madje prenotoi një dhomë në një nga hotelet më të mira të Madridit. Por këtu dështoi. Ai është akomoduar pikërisht aty ku ndodhet edhe njëra prej dy skuadrave argjentinase. Dhe cila skuadër? Tifozi e pa veten në hotelin ku është akomoduar ekipi i tij rival i River Plate.
“Shkova në hotel, pushova pak dhe më pas zbrita nga dhoma. Por ç’të shoh! Aty ishte gjithë River Plate, skuadra, stafi dhe gazetarët. Nuk po u besoja syve. Për fat të mirë nuk zbrita me fanellën e Bokës. A do e ndryshoja hotelin? Jo, tashmë po e përjetoj gjithçka nga këtu, kam edhe biletën për në stadium dhe nuk mund të bëj asnjë ndryshim”.- tha tifozi.