Shumë dekada në skenë e bën që Prena Baci të cilësohet si mbretëresha e folklorit burimor shqiptarë. Rrjedh nga një familje artistësh. Prena ju ka kënduar dëshmorëve të kombit e ka duete të shumta, ndërsa njëra prej tyre është dhe kënga me Dava Gjergjin e titulluar “Sot o kurrë Kosova e lirë”. Në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA, ajo vjen për të treguar mbi karrierën e saj
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Karriera juaj muzikore ka filluar para dy dekadave dhe sot je një ndër artistet më të çmuara të folklorit burimor shqiptarë, si ju bën të ndiheni ky fakt?
Në momentin që kam filluar karrierën kam qenë e sigurtë që rrugëtimi im do jetë i gjatë në muzikë, muzika nuk është thjeshtë puna nga e cila siguroj mbijetesën por edhe pasioni dhe jeta ime pa të cilën nuk mundem dot.
KOHA: Në karrierën tënde numëron shumë këngë, albume, bashkëpunime etj, cilin projekt do e veçoje si më për zemër?
Sigurisht që do të vazhdoj edhe për shumë vite, realisht ka aq shumë projekte sa është e pamundur të mbaj mend dhe vet unë dhe pse gjitha i kam punuar me shumë dashuri, këngën të cilën e kam shumë për zemër është ‘Dorentina e Mirditës’, këngë kjo që gjithë publiku e këndon me mua në koncerte.
KOHA: Angazhimet tuaja momentale janë më shumë në koncerte apo ahengje familjare?
Koncertet janë të padiskutueshme mirëpo kohën e fundit më shumë jam aktive në dasma si në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, është një ndjenjë shumë e mirë kur familjarët të përzgjedhin si artiste që të ju zbukurosh ditën e dasmës së tyre, është privilegj për mua.
KOHA: Kur pritet lançimi i projektit të ri, do jetë bashkëpunim apo këngë solo?
Sigurisht shumë shpejtë sepse xhirimet e këngës vetëm kanë përfunduar tani janë në montazh dhe pritet të finalizohen së shpejti dhe të promovohet, ky projekt që po vjen është bashkëpunim, por dua të lë surprizë.