Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 prill – 55 milionë euro të mbetura të subvencioneve për vitin bujqësor 2015-2016, pritet të paguhen deri më 30 qershor të këtij viti. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, deri tani janë paguar 34 milionë euro të subvencioneve për bujqit, ndërsa pjesa e mbetur pritet të përfundojë në llogaritë e fermerëve deri në fund të muajit qershor, shkruan gazeta KOHA.
Por, bujqit druajnë se do t’i marrin të hollat që ju takojnë me ligj në muajt e ardhshëm për shkak, siç thonë ata, të mungesës së të hollave në arkën e shtetit. Një pjesë e shoqatave të bujqve presin që sivjet dhe në mot të kemi prodhimtari më të ulët bujqësore, për shkak të zvogëlimit të hapësirave punuese që do të sjellë edhe rritje të importit të ushqimit. Problem tjetër që mundon fermerët në vend, është edhe përzierja e tepërt e politikës, si në bujqësi ashtu edhe në ekonomi, që nuk sjell në fund përfitime për askënd. Lidhur me protestat e paralajmëruara të shoqatave të bujqve për ditën e martë, nga Ministria e Bujqësisë thonë se kjo është një e drejtë demokratike, duke shtuar se megjithatë vlerësojnë se problemet duhet të zgjidhen në institucione.
Në ndërkohë nga Ministria e Bujqësisë kanë paralajmëruar se ministrat të bujqësisë dhe financave do të ulen dhe do të gjejnë zgjidhje në afat së më të shpejtë të mundur të kolizionit të ligjeve për zgjedhje, që parashikojnë të mos paguhen subvencionet 20 ditë para fillimit të fushatës dhe deri në formimin e qeverisë së re, nga njëra anë dhe Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural që parashikon që përgjatë një viti bujqësor prej 30 qershor të një viti kalendarik në 30 qershor të vitit të ardhshëm kalendarik të realizohen të gjithë pagesat e subvencioneve ndaj bujqve, nga ana tjetër. “Nuk shtrohet çështja se a ka të holla për pagesën e subvencioneve, për shkak se për çdo gjë tjetër ka të holla si dhe paguhen detyrimet. Çështja është të zgjidhet problemi i kundërshtimit të Ligjit për zgjedhje dhe atij për bujqësi dhe zhvillim rural. Nuk mund të licitoj me datat, por pres në një afat sa të shpejtë të mundshëm të zgjidhet problemi dhe deri më 30 qershor të paguhen të gjithë subvencionet e mbetura“, thotë ministri i Bujqësisë, Mihail Cvetkov, përcjell KOHA. Sipas tij, nuk ka asgjë kontestuese as te Ministria e Bujqësisë, e as tek Agjencia pagesore, por problemi duhet të zgjidhet në kuadër të Ministrisë së Financave. Cvetkov shton se deri në fund të muajit maj, Agjencia pagesore do të përgatisë vendimet për të gjitha subvencionet deri në vitin 2016. Për vitin 2015 vendimet janë dorëzua dhe me anulimin e pengesave ligjore, bujqit do t’i marrin subvencionet. Nga Ministria e Bujqësisë thonë se në vitin 2014 janë paguara 104 milionë euro, në vitin 2015 janë paguar 103 milionë euro dhe në vitin 2016 janë paguar 90 milionë euro, ndërsa në këtë shumë hyjnë edhe të hollat e subvencioneve për vitin 2015 në vlerë prej 1.2 milionë euro që duhet të fitojnë bujqit, ndërsa për vitin 2016 bujqit duhet të marrin edhe 60 milionë euro.
Në ndërkohë, bujqit ankohen se disa muaj është bllokuar tërësisht pagesa e subvencioneve si rrjedhojë e Kodi zgjedhor, ndërrimet e drejtorëve në Agjencinë pagesore, ndërsa tani të hollat janë të bllokuara në Ministrinë e Financave. “Thjesht nuk ka të holla për pagesën e subvencioneve për bujqit dhe atë pikërisht në kohën kur këto mjete financiare më së shumti ju nevojiten fermerëve. Gjithashtu kemi raste të vonesave të subvencioneve edhe për vitet paraprake, si për vitin 2014 apo atë 2015. Andaj pres që të kemi prodhimtari më të ulët bujqësore për shkak të zvogëlimit të hapësirave punuese që do të sjellë edhe rritje të importit të ushqimit”, thotë Risto Vellkov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Bujqve. Sipas tij, ditën e martë më shumë shoqata bujqësore kanë paralajmëruar se do të bllokojnë rrugë në shenjë proteste për shkak të vonesës së subvencioneve. Edhe fermerët e tjerë ankohen për vonesat e subvencioneve. “Problemi me bujqësinë në përgjithësi në Maqedoni është se për shtetin ajo ka rëndësi vetëm me fjalë, por jo edhe me vepra konkrete. Problem tjetër që mundon fermerët është përzierja e tepërt e politikës si në bujqësi ashtu edhe ekonomi. Nga ana tjetër, çështja e vonesës së subvencioneve është prezent për gati çdo vjet, ndërsa sivjet është më e theksuar, andaj fermerët kanë frikë se a do t’i marrin me të vërtetë mjetet financiare që ju takojnë edhe me ligj“, thotë fermeri Memet Sinani nga Tetova.
Ndryshe, fillimisht për subvencionet ishin parashikuar rreth 103 milionë euro, por me rebalancin e buxhetit në vitin e kaluar ato u zvogëluan në 90 milionë euro, prej të cilave deri tani është paguar gati një e treta. Sipas të dhënave të Agjencisë për përkrahje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural prej programit për vitin 2016 është paguar duhani, dhe një pjesë e kulturave lavërtare, një pjesë e vreshtarisë, qumështit dhe dëmeve nga vërshimet në vlerë prej 34.1 milionë euro. Shuma e tërësishme e përkrahjes financiare për bujqësinë në vitin 2016 është 89.7 milionë euro.
SHPALLET THIRRJA PËR IPARD 2
Prej të hënën është publikuar thirrja për IPARD dy. Bujqit deri më 23 qershor do të mund të aplikojnë për investimet në ekonomi bujqësore, përpunim dhe marketing të prodhimeve bujqësore, diversifikim të fermave. Projekti do të mbështetet me subvencionimin e 50 për qind të kamatës, me ekipe këshill dhënëse dhe projekte të gatshme për investime. Gjithashtu kthehen 60 për qind e mjeteve të investuara, në vend të 50 për qind sa ishte në thirrjen e parë. Fondi i IPARD 2 është i vlefshëm 68 milionë euro dhe nga Ministria e Bujqësisë presin realizimin e qind për qind të këtyre mjeteve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara