Teatri dhe Biblioteka e Tetovës ishte një prej institucioneve që u vizituan nga ministrja e Kulturës, Irena Stefoska, që nuk shoqërohej nga asnjë prej vartësve të saj – as nga zëvendësministri, apo sekretari shtetëror i Kulturës. Përveç pohimit se është me rëndësi të veçantë që projekti të jetë pjesë e Programit Vjetor për Investime në fushën e kulturës për vitin 2021, nuk u përcaktua asnjë datë e përafërt se kur do të rifillojnë punimet për realizimin e fazës së dytë, apo një afat i ri për përfundimin e kompleksit, ndërtimi i të cilit po zgjat me vite
Evis HALILI
Shkup, 27 janar – Teatri dhe Biblioteka e Tetovës ishte një prej institucioneve që u vizituan nga ministrja e Kulturës, Irena Stefoska, në takimin e zhvilluar me drejtues të institucioneve kulturore të qytetit. Përveç pohimit se është me rëndësi të veçantë që projekti të jetë pjesë e Programit Vjetor për Investime në fushën e kulturës për vitin 2021, nuk u përcaktua asnjë datë e përafërt se kur do të rifillojnë punimet për realizimin e fazës së dytë, apo një afat i ri për përfundimin e kompleksit, ndërtimi i të cilit po zgjat me vite. Në buxhetin e këtij viti është parashikuar një fond prej 90 milionë denarë, shumë kjo e vogël nga kostoja e përgjithshme e që supozohet të jetë 26 milionë euro. Faza e parë e projektit që përfshinte ndërtimin e objektit i kushtoi buxhetit të shtetit 13 milionë euro, publikut disa vjet pritje, ndërsa aktorëve situata nga më të vështirat për të vënë shfaqje në skenë. Drejtori në detyrë i Qendrës së Kulturës, Artan Asllani, po ashtu dhe udhëheqës artistik i Teatrit, thotë se gjithçka ndodhet në pikën që ishte vitin e kaluar, kur u mbyll faza e parë e punimeve në muajin mars.
“Për momentin nuk ka asgjë konkrete, ndërsa se kur do të fillojë faza e dytë, këtë e vendos Qeveria. Ne jemi në pritje të vendimit. Për këtë vit janë përcaktuar 90 milionë denarë për të nisur punimet e para dhe planet se çfarë mund të bëjnë me këtë shumë – do t’i bëjnë operatori ekonomik dhe mbikëqyrësi”, thotë drejtori Arsllani. Në vizitën në Tetovë, ministrja Stefoska nuk shoqërohej as nga zëvendësministri shqiptar, por as nga sekretari shtetëror i Kulturës. Ministria e Kulturës informon se në takimin me kreun e Komunës, Teuta Arifi, u shprehën të kënaqura me bashkëpunimin aktual në të gjitha aktivitetet në fushën e kulturës si në nivelin kombëtar ashtu edhe në atë lokal, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, gjendjen e ambienteve ku janë institucionet në fushën e kulturës, ndërtimi i ndërtesës së re, si dhe modalitetet për promovimin e kulturës në këtë qytet.
“Bashkëpunimi ynë nga pozicioni i ministrit dhe kryetarit të Komunës vazhdon në çdo sferë që prek kulturën. Tetova është një qytet i madh, nevojat e qytetarëve të Tetovës janë të mëdha në çdo sferë të kulturës. Për këtë arsye, ndërtesa e re e Teatrit dhe Bibliotekës vazhdon në fazën tjetër. Ne besojmë se së bashku me institucionet e tjera, pjesa e fazës për këtë vit dhe më gjerë do të realizohet. Qëllimi ynë është ta përfundojmë këtë objekt të mrekullueshëm sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar Stefoska. Parashikimet për përfundimin e punimeve i kanë dalë të pasakta katër ministrave të tjerë. Gjatë mandatit të tyre nuk arriti që të përfundohej projekti me rëndësi kapitale. Projekti nisi në kohën e ish-ministres Elizabeta Kançeska Milevska. Në vitin 2017, ish-ministri Robert Allagjozevski deklaronte se “Teatri dhe Biblioteka në Tetovë planifikohet që vitin e ardhshëm të përfundojnë (2018 faza e parë), mendoj se për një vit deri në dy do të jetë gati, në gjendje të plotë (2020)”. As në periudhën e dy ministrave të tjerë shqiptarë – dinamika e punimeve nuk ndryshoi, ndërsa kushtet ku gjenden sot Teatri i Tetovës dhe Biblioteka “Koço Racin” vazhdojnë të rëndohen dhe të jenë çdo vit edhe më të këqija. (koha.mk)