Shkup, 29 tetor – Enis Bardh vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes si në Evropë e Maqedoni, poashtu edhe në Shqipëri. Së fundmi futbollisti shkupjan ishte i intervistuar nga emisioni “Sport Time”, në SuperSport, përcjellë koha.mk.
Mesfushori i Levantes, një nga pikat kyçe të suksesit të Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës në play off-in e Nations League, iu kthye emocioneve të përplasjes me “Dardanët”, por plot modesti kujtoi se asgjë nuk ka mbaruar dhe se është për t’u kaluar edhe një 90-minutësh shumë i rëndësishëm ndaj Gjeorgjisë.
“Jemi shumë të kënaqur që e kaluam me sukses ndeshjen me Kosovën, por nuk ka përfunduar asgjë. Kemi edhe një 90-minutësh për kualifikimin. Edhe para ndeshjes me Kosovën kam thënë që ekipi ynë ka më shumë eksperiencë. Kosova ka shumë lojtarë të fortë në aspektin individual. U futëm në fushë për ta fituar ndeshjen, jo për të bërë disa gjëra në mënyrë individuale. Edhe Kosova zhvilloi një ndeshje të fortë, më vjen keq për djemtë, por kam besim se shumë shpejt do të shkojë në Evropian”, u shpreh në fillim Bardhi, duke thënë se nuk ka vend për eufori.
“Nuk besoj se ka eufori, të gjithë lojtarët jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes me Gjeorgjinë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, nuk duhet të bëjmë asgjë më shumë sesa bëmë më Kosovën. Gjeorgjia nuk ka lojtarë aq cilësorë sa Kosova, por janë 90 minuta, ku duhet të japim maksimumin për atë ëndërr”, shtoi më tej Bardhi. Ai është rikthyer të flasë përsëri për ndeshjen me Kosovën dhe mënyrën se si e ka përjetuar fitoren.
“Përballja me Kosovën ishte e veçantë. Pas ndeshjes kam patur komente pozitive dhe negative. Çdo futbollist duhet të japë maksimumin për ekipin ku luan. Jam shqiptar e nuk ma mohon askush, por tani do të jap maksimumin për Maqedoninë për përparimin edhe në aspektin profesional. Nuk kemi pasur kurrë probleme brenda skuadrës, kemi respekt për njëri-tjetrin dhe në fushë japim maksimumin. Si ekip mund të bëjmë një histori që nuk e ka bërë askush”, vazhdoi më tej shkupjani, i cili po luan me mjaftë sukses te Levante.
“Kam kontratë edhe dy vjet me Levanten, deri në vitin 2022. Për momentin, jam këtu, nuk kam menduar që të largohem, sepse ndihem si në shtëpinë time. Është ekip pa presion dhe me objektiva idealë për lojtarët e rinj”.
Në fund Bardhi ka dhënë një premtim nëse Maqedonia e Veriut plasohet në Kampionatin Evropian. “Jam djalë modest dhe i urtë, nuk më pëlqen të bëj çmenduri, nuk më vjen ndonjë gjë në mendje. Ndoshta do të pres flokët”, përfundoi Bardhi.