Njohësit e çështjeve politike thonë se zakonisht partitë politike parazgjedhjeve premtojnë shumë dhe më pas nuk mund ti përmbushin as edhe gjysmën e programit të tyre politik të cilën e kanë pasur gjatë fushatës zgjedhore. Sipas tyre, mos realizimi i premtimeve ndikon që të bjerë edhe motivimi i qytetarit për të votuar në zgjedhjet e ardhshme sepse ai e ndjen vetën të tradhtuar nga përfaqësuesit politik
Zenel MIFTARI
Shkup, 8 korrik – Partitë politike kanë ndezur motorët për zgjedhjet e 15 korrikut dhe po vizitojnë çdo qytet e vendbanim për ti bindur qytetarët që të votojnë për programin dhe partinë e tyre. Tubimet promovuese në sheshet e qyteteve nuk po mund ti ndal as edhe virusi korona dhe paralajmërimet e Ministrisë së Shëndetësisë, për t’iu shmangur grumbullimeve me njerëz tjerë. Fjalë të mëdha po dalin nga goja e nga kandidatëve për deputet dhe kryetarët e partive politike, sepse, sipas tyre, pas zgjedhjeve do të angazhohen maksimalisht për ta përmirësuar jetën e qytetarit.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në tubimin e fundit të mbajtur në Kumanovë, para simpatizantëve të koalicionit ASh-AAA, mes disa premtimeve ka veçuar dy prej tyre. Në mandatin katër vjeçar, koalicioni i tij do të zgjidh problemit e ujësjellësit për komunën e Likovës dhe do të rregulloj problemin e shkollave të mesme shqipe në Kumanovë, të cilat mësojnë disa vite në ish-zyrat e kombinatin ZIK. Gjithashtu Aleanca për Shqiptarët, ka premtuar se do të jep bursa nga 3.000 denarë për çdo nxënës të shkollave të mesme profesionale, do ti investoj 30 milionë euro në Spitalin Klinik të Tetovës si dhe krijim i qendrave për inovacion për çdo qytet.
Ndërkohë në anën tjetër, kandidati për kryeministër nga radhët e BDI-së, Naser Ziberi, ka premtuar se do të ndaj nga 20.000 euro kredi për çiftet e reja pa interes për akomodim. Ai është zotuar edhe për themelim e Gjykatës së Lartë për barazi etnike dhe gjinore në mandatin e tij katër vjeçar. BDI gjithashtu ka premtuar se në 100 ditët e para do të miratohet ligj për pension të garantuar social edhe për ata gra që nuk kanë as edhe një ditë përvojë pune. Njohësit e çështjeve politike thonë se zakonisht partitë politike parazgjedhjeve premtojnë shumë dhe më pas nuk mund ti përmbushin as edhe gjysmën e programit të tyre politik të cilën e kanë pasur gjatë fushatës zgjedhore. Sipas tyre, mos realizimi i premtimeve ndikon që të bjerë edhe motivimi i qytetarit për të votuar në zgjedhjet e ardhshme sepse ai e ndjen vetën të tradhtuar nga përfaqësuesit politik.
Analisti Ibrahim Memeti, për gazetën KOHA, është shprehur që nëse flasim për premtimet e partive politike shqiptare, për fat të keq, ato kryesisht janë listë e dëshirave sepse gjate formimit të koalicioneve qeveritare, sipas tij, partitë shqiptare nuk zgjedhin mjete për t’u kyç në kabinet dhe shpeshherë këtë e bëjnë në dëm të programeve të tyre parazgjedhore.
“Sa i përket vetë premtimeve dhe plotësimit ose mosplotësimit të tyre, kjo varet edhe nga kapaciteti kritik i shoqërisë ose komunitetit te cilit i servohen premtimeve. Ne si shoqëri duhet të mësohemi ta përcjellim realizimin e premtimeve në formë sistematike ku mediat dhe shoqëria civile do ta luajnë rolin kryesorë. Kuptohet se mund të ketë edhe arsye objektive që e pengojnë realizimin e premtimeve dhe këto gjithashtu duhet të notohen”, vlerëson ai. Ndërkohë, në fund ai ka shtuar se krijimi i mjegullinës rreth premtimeve parazgjedhore, qoftë nga oponentët politik ose nga vetë partitë të cilat nuk arrijnë t’i plotësojnë premtimet, vetëm se e dobëson besimin e ndërsjellë dhe edhe më tepër e shkatërron vullnetin e elektoratit.
Një grup profesorësh dhe intelektualësh nga Maqedonia e Veriut, kanë publikuar një letër të hapur, me çka kanë ngritur shqetësimin për manipulimin politik me ndjenjat e popullit që është duke ndodhur ndër vite te ne. “Ndër vite këtu, nga askush s’janë dhënë ide se çka duhet bërë, madje janë penguar dhe kushtëzuar ata që kanë planifikuar ndonjë investim. Çdokush nga ne brengoset kur shtëpitë mbeten të zbrazura, ku humbet çdo objektivë zhvillimore, ku humbet vullneti e perspektiva, aty shtohet edhe mërzia e stresi i përgjithshëm shoqëror. Shkollat mbeten pa zërin e ëmbël të fëmijëve, punëtoritë mbyllen, prodhimi pakësohet, shëndetësia shkatërrohet, kurse pushteti me logjikën e të dehurit hedhë paratë e fundit në çdo anë që sërish të mbetet në krye të shtetit. Shqiptarët këtu s’kanë nevojë për patriotizma boshe që pastaj dikush lehtë i konvertohen në treg të zi, por për zhvillim në çdo sferë, për punësim, për arsim kualitativ dhe për jetë normale këtu”, shkruhet në letrën e këtij grupi intelektualësh.
Ndryshe, vlen të cekët se për dallim nga zgjedhjet e kaluara në këto zgjedhje do të votohet tri ditë. Ditën e parë do të votojnë të vetizoluarit nga virusi korona, ditën e dytë të sëmurit tjerë dhe të burgosurit si dhe ditën e tretë, më 15 korrik, të mërkurën do të votojnë të gjithë qytetarët tjerë. (koha.mk)