Kyeministri Zoran Zaev dhe partia e tij erdhn në pushtet në saj të premtimit se plotësisht do të përkushtohen edhe në “zbardhjen e ngjarjeve të 9 dhe 10 majit në Kumanovë dhe zbulimin e iniciatorëve dhe prapaskenën e rastit”. Ende nuk ka asnjë epilog, ngjashëm si me zbardhjen e rastit të “Sopotit”, “Brodecit”, Martin Neshkovskit, Nikolla Mlladenovit dhe “Monstra” të cilët ishin evidentuar në programin qeveritar.
Destan JONUZI
Shkup, 27 qershor – Pushteti ekzekutiv, lokal, por edhe Presidenti të gjithë në këto 25 muaj për në vazhdimësi flasin për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, Marrëveshjen e arritur me Bullgarinë, anëtarësimin e mundshëm në NATO, datën e (pa)sigurt për fillimin e bisedimeve me BE-në. Në Programin Qeveritar për vitin 2017-2020 ka disa çështje të cilat nuk janë përmbushur, ndërsa afati i tyre po skadon. Midis tyre thuhet se që në vitin e parë të mandatit, gjegjësisht në vitin 2017, do të bëhet emërimi i kryenegociatorit kryesor për bisedime me BE-në me mundësi që i njëjti të zgjidhet me konsensus midis pushtetit dhe opozitës.
Vitin ardhshëm, pra në vitin 2018 Qeveria e emëroi zëvendëskryeministrin Bujar Osmani për kryenegociator me BE-në pa shpalosur informacione se i njëjti është zgjedhur me konsensus me opozitën. Qeveria po ashtu në programin e saj obligohet se do ti propozojë Parlamentit të formohet “këshill fiskal” në të cilin do të ketë ekspertë eminent të cilët do të vlerësojnë kredibilitetin e politikave fiskale, por edhe kjo çështje ende nuk ka marrë fund. “Qeveria në mënyrë urgjente do të propozojë vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike (PSP) me çka i hapët rrugë kësaj prokurorie që të ngre aktakuza dhe të propozojë dëshmitarë mbrojtës”, premtonte në vitin 2017 Qeveria, ndërsa ligji me të cilin duhet të zgjidhej e ardhmja e PSP ende nuk është dakorduar me opozitën.
Në programin e publikuar edhe në ueb faqen e Qeverisë po ashtu u premtua se plotësisht do të përkushtohet edhe “zbardhjen e ngjarjeve të 9 Majit në Kumanovë dhe zbulimin e iniciatorëve dhe prapaskenën e rastit”. Ende nuk ka asnjë epilog, ngjashëm si me zbardhjen e rastit të “Sopotit”, “Brodecit”, Martin Neshkovskit, Nikolla Mlladenovit dhe “Monstra” të cilat janë përmendur në programin qeveritare. “Z. Zaev luan majtap me partitë politike shqiptare dhe me shqiptarët në përgjithësi. Derisa partitë politike shqiptare janë ,,rreth kulaçit të përbashkuar” ne do të plaçkitemi, do të shpërngulemi dhe do ta korrim statusin e pakicës. Do të korrim Sopotin, Almirin, Lagjën a Trimave dhe, do ta hamë çorbën e ,,stërvinave”. Z. Zaev nuk u tregua vizionar dhe demokrat sikurse qe shitej derisa ishte në opozitë. Shkopin e Gruevskit ky e zëvendësoi me doza të vogla por të shpeshta të cianidit( helm shumë i fortë). BE e lexoi si abetare edhe Zaevin. Ky është shkaku i anulumit të datës për fillimin e negociatave. Zaev është shumë gabim kur mendon se edhe BE dhe ambasadorët mundet ti mashtrojë me buzëqeshjen e tij naive, sikurse që e mashtroi elektoratin shqiptar. Ambasadori Timonie i tha të gjitha. Tashti fjalën e ka rinia shqiptare”, deklaroi për gazetën KOHA, Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politik.
Ajo me të cilën krenohet Qeveria më së shumti është shtylla e programit “Parat te qytetarët”. Në këtë pjesë e përmend rritjen e pagës minimale, pagat më të larta për të punësuarit në shëndetësi, arsim, mbrojtje, kulturë, polici, rritjen e pensioneve, vendosjen e tarifës së lirë të rrymës, uljen e TVSH-së për nxehje, zvogëlimin drastik të harxhimeve për Noter, përmbarues, kthimin e tatimit personal dhe 30 për qind naftë më të lirë për të gjithë bujqit, rritje të ndihmës sociale, kthimin e 15 për qindshit të TVSH për çdo qytetarë dhe shumë çështje tjera. Një nga kritikat më të mëdha të opozitës që i adresohet Qeverisë është premtimi për pagën minimale prej 500 euro. Në programin e LSDM-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare thuhet se “Garantojmë pagë më të madhe. Rrogë mesatare deri n në 30.000 denarë”, ndërsa në programin e Qeverisë sqarohet se një pjesë e masave ekonomike do ta stimulojnë pagesën e rrogave më të mëdha që të rritet në 30.000 denarë. (koha.mk)