Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 shtator – Në procedurë e sipër parlamentare janë më shumë propozim ligje për përmirësimin e jetesës së qytetarëve, shkruan gazeta KOHA. Ato janë të dedikuara për kategoritë e ndryshme të qytetarëve dhe përfshijnë kthimin e tarifës së lirë të rrymës, rritjen e pagës minimale, anulimin e taksës radiodifuzive, dhënien edhe një vit afat për legalizimin e patundshmërive dhe pushime pesëditëshe falas për familjet me të ardhura më të ulëta në kapacitetet vendore turistike. Në procedurë e sipër është edhe zgjidhja e statusit të 3000 punëtorëve të ndërmarrjeve të falimentuara, liberalizimi i ligjit anti-duhan, ndërsa përgatitet edhe ligj për përmirësimin e statusit dhe kushteve të punës së minatorëve. Ekonomistët vlerësojnë se propozim-ligjet synojnë realizimin e programit zgjedhor të Lidhjes Sociale Demokrate për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, ndërsa janë edhe në favor të joshjes së votuesve para zgjedhjeve lokale të tetorit.
Nga ana tjetër, të gjithë këto masa hapin dilemën në opinion se sa bëhet fjalë për masa të qëndrueshme dhe afatgjate ekonomike që përmirësojnë standardin, apo bëhet fjalë për masa populiste për të joshur elektoratin para zgjedhjeve lokale të 15 tetorit, që do të jenë një test i rëndësishëm besimi si për politikat e pushtetit aktual dhe ngritjes së mëtejshme të rejtingut të tij, por edhe për pozicionimin e mëtejshëm të opozitës që mund të rikuperohet apo të humb edhe më tej besimin e elektorati. Ekonomistët thonë se duhet analizuar me kujdes se sa masat apo subvencionet e ndryshme do të ngarkojnë arkën e shtetit, sidomos duke pasur parasysh nivelin e lartë të borxhit publik. Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, të gjitha ndryshimet ligjore do të kenë pasoja ndaj buxhetit, sidomos duke marrë parasysh edhe nivelin e borxhit publik në Maqedoni prej afër 4.7 miliardë euro. Gjithashtu, ekonomistët janë të brengosur edhe për inflacionin e mundshëm në rast të rritjes eventuale të pagave të administratës, që si pasojë mund të sjellë edhe uljen e fuqisë blerëse dhe uljen dhe jo rritjen e standardit jetësor, për shkak të zhvleftësimit eventual të vlerës së valutës vendore.
Sipas profesorit universitar Zoran Ivanovski, të gjitha ndryshimet ligjore do të kenë pasoja ndaj buxhetit, sidomos duke marrë parasysh edhe nivelin e borxhit publik në Maqedoni prej afër 5 miliardë euro.
“Duke pasur parasysh ambicien e pushtetit që të rrisë pagën minimale me qëllim të stimulojë konsumin privat dhe të gjenerojë rritje ekonomike, është e mundshme të priten edhe rezultate financiare. Nga ana tjetër, rritja e pagave në administratën publike mund të sjellë tendenca të inflacionit, duke marrë parasysh se nuk kemi rritje të produktivitetit në këtë sektor”, thekson për KOHA, Ivanovski. Sipas tij, çdo propozues i një ndryshimi të caktuar ligjor nevojitet që paraprakisht të sigurojë edhe garanci se masat e propozuara nuk do të dëmtojnë stabilitetin monetar në shtet. Njëherazi, Ivanovski shton se një sërë pakosh të ligjeve që Kuvendi duhet t’i miratojë me procedurë të shkurtuar paraqesin marketing politik dhe kënaqin edhe nevojat afatshkurtra të votuesve para zgjedhjeve të tetorit.
Nga Instituti Fajnens Think thonë se masat e paralajmëruara qeveritare do të ndikojnë edhe në rritjen e harxhimeve, por edhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, megjithatë shtojnë se nevojitet një analizë e hollësishme si dhe vlerësime se sa ato do të ngarkojnë arkën e shtetit. “Për momentin nuk ekziston plan i detajuar se cila masë prej ku do të financohet që të mund të vlerësohet qëndrueshmëria e tyre afatgjate. Nevojitet që financimi i masave të jetë direkt i lidhur me mjetet e grumbulluara nga tatimi progresiv, duke themeluar edhe fond të posaçëm për këto masa. Çdo vjet masat duhet të dimensionohen në bazë të mjeteve të disponueshme nga ky fond, që të sigurohet qëndrueshmëria e tyre”, thonë nga Instituti Fajnens Think. Në ndërkohë ky institut përllogariti se nga vendosja eventuale e tatimit progresiv, ku ai që ka rrogë më të larta do të paguajë më shumë, ndërsa ai që ka rrogë më të ulët do të paguajë më pak do të grumbullohen mjete me vlerë prej 30 deri 37 milionë euro në vit që mund të dedikohen për financimin e masave të reja qeveritare.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.