Mungojnë vendet e parkimit në Kodrën e Diellit, mungon infrastruktura tek lagjja e vikend shtëpizave dhe një sërë investimesh tjera që janë premtuar shumë herë nga autoritetet shtetërore, por që nuk janë realizuar
Urim HASIPI
Tetovë, 14 dhjetor – Vitin e kaluar, sezoni në Kodrën e Diellit filloi me shumë probleme. Ski liftet me dy ulëse nuk ishin në funksion, ndërsa ishte dëmtuar edhe ski-lifti në Teteks. Në këtë qendër janë bërë përgatitjet e fundit për fillim të sezonit, në atë moment që do të ketë edhe borë. Por, edhe pse kaluan një vit që kur u premtua shumë për Kodrën e Diellit, nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, shkruan gazeta KOHA. Ski lifti me gjashtë ulëse, në vendet tjera turistike nuk është më një investim i madh, por i zakonshëm, kurse në Kodrën e Diellit ende nuk është vënë në funksion. Organizata “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, që merret me problemet në Kodrën e Diellit, edhe për këtë vit paralajmëron se këtë qendër turistike e presin shumë probleme.
“Qendrën turistike Kodra e Diellit, e cila udhëhiqet nga ELEM, si çdo vit edhe këtë vit e presin fillime të rënda të sezonit dimërorë, sepse nuk është e përgatitur aq sa duhet dhe s`ka borë të mjaftueshme që të hapet sezoni 2019/2020. Të gjitha qendrat turistike, të cilat gjatë vikendeve që shkuan dhe vikendeve që vijnë, hapën sezonin, sepse ato qendra kanë borë artificiale, kurse Kodra e Diellit duhet që të presë derisa kushtet atmosferike të jenë në favor të saj. Nëse nuk ka borë para festave të Vitit të Ri, atëherë do të ngel për në janar dhe kështu si pesë vitet e fundit, edhe këtë vit do të jetë e njëjta”, shprehet Hamdi Sulejmani, kryetar i organizatës “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit”.
Sipas tij, ngecjet janë të shumta, sepse nuk janë bërë investime të nevojshme. “Ngecjet janë institucionale, dihet premtimet që janë dhënë, çdo ditë studime fizibiliteti, çdo ditë investime të cilët nuk vihen në funksion, siç janë ski lifti me gjashtë ulëse, apo bora artificiale. Ka shumë bllokada të ndryshme, apo mos organizim i mirë dhe kështu që qendrat tjera turistike vazhdojnë të tërheqin turistë, kurse drejtuesit e Kodrës së Diellit shumë rëndë do ta kenë që ta kthejnë këtë qendër në gjendjen e mëparshme, por ajo do njerëz të mirë me vullnet të mire”, nënvizoi Sulejmani.
Përderisa pritet fillimi i sezonit, tashmë kanë dalë në shitje biletat për ski liftet, kurse në këto bileta përfshihet edhe ski lifti me gjashtë ulëse. “Në çmimoren që e paraqiti ELEM TURS, aty përmendet se do të jetë në funksion edhe ski lifti me 6 ulëse. Ne i bëjmë thirrje ELEM TURSIT, se personat do të blejnë bileta sezonale për këtë ski lift, por se me të vërtet a do të funksionojë dhe a do të tregojnë në konferencën për shtyp edhe dokumentacion teknik dhe të ketë deklaratë nga realizuesi se ky ski lift a do të mundë të jetë në funksion. Kjo është e dyshimtë, por ngelet që të presim reagimin e tyre dhe të gjithë ata që do të jenë të interesuar që të marrin bileta sezonale, të pyesin kompaninë dhe të marrin një vendim të saktë se a do të funksionojë apo nuk do të funksionojë ski lifti me gjashtë ulëse, pasi që çmimet janë pak sa të ndryshme nga vitet e kaluara”, deklaroi Hamdi Sulejmani, nga shoqata Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit.
Në ndërkohë, ende mungojnë vendet e parkimit në Kodrën e Diellit, mungon infrastruktura tek lagjja e vikend shtëpizave dhe një sërë investimesh tjera që janë premtuar shumë herë nga autoritetet shtetërore por që nuk janë realizuar. (koha.mk)