Urim HASIPI
Shkup, 20 mars – Ditëve në vijim pritet që më në fund të fillojë faza përfundimtare për asfaltimin e Urës së Kazazëve në Tetovë. Ura e re e Kazazëve ishte inauguruar gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Maqedoni. Edhe pse atëherë premtimet kishin qenë se për dy muaj punimet do të përfundojnë , megjithatë ende ura nuk është funksionale, shkruan gazeta KOHA. Kjo urë kalohet me vështirësi nga këmbësorët, ndërsa për automjetet ende është e pakalueshme, sepse punët kanë ngelur përgjysmë. Edhe kësaj radhe është dhënë një premtim për ndërtimin e kësaj ure nga ana e autoriteteve të Komunës së Tetovës. Sipas tyre, pritet shpejtë të asfaltohet kjo urë, ndërsa po ashtu punët do të fillojnë edhe në rrugën “Murat Bafjari”.
“Me rregullimin e kohës tash pritet të fillojmë me punë edhe në rrugën ‘Murat Baftijari’ ku kemi bërë dhe përgatitjet përfundimtare. Në këtë rrugë do të bëhet vendosja e gjithë instalimit elektrik nën tokë dhe pritet të bëhet një projekt me standard që plotëson nevojat e qytetarëve dhe të përfundojë në afat sa më të shpejtë. Në kuadër të punimeve që pritet të fillojnë dhe mbarojnë gjatë kësaj sezone – është dhe përfundimi i Urës së Kazazëve që është në fazën përfundimtare dhe pritet që shumë shpejtë të lëshohet në përdorim”, njoftuan nga Sektori për Tokë Ndërtimore në Komunën e Tetovës.
Rikujtojmë se kryetarja e Komunës së Tetovës gjatë fushatës theksoi se “bashkë me asfaltimin e rrugës tek stacioni policor në gjatësi prej 370 metrave, trotuareve, ndriçimit dhe kanalizimit atmosferik, është bërë një rehabilitim i dukshëm infrastrukturorë i cili do të ndihmojë në qarkullimit të lirshëm të qytetarëve”. “Pranvera e ardhshme do ta bëjë këtë rrugë me trotuare, kanalizim atmosferik dhe fekal, ndriçim publik si dhe asfaltim të plotë duke filluar nga Çarshia e Epërme e deri tek rruga e Teleferikut”, kishte thënë gjatë fushatës kryetarja Arifi. Deri më tani, në terren ende nuk është punuar asgjë. Arsyetimet janë se presin një dakordim nga ana e policisë për të rikahëzuar komunikacionin rrugor.
Nga Komuna e Tetovës njoftojnë se me lëshimin në përdorim të kësaj ure, dukshëm do të përmirësohet qarkullimi i automjeteve dhe do të lehtësohet komunikacioni në rrugët përreth, sidomos në pjesën e Çarshisë së Epërme. Përndryshe, kur filluan punët në muajin tetor, ura e vjetër prej metali është dislokuar, gjegjësisht konstruksioni që shërbente për qarkullim vetëm të këmbësorëve.
E njëjta është shfrytëzuar për qarkullim për qytetarët që kanë pasur punë në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë dhe tek ish objekti i shkollës së mesme të Mjekësisë. Krahas kësaj, e njëjta shfrytëzohej nga ana e qytetarëve për punët e tyre në Çarshinë e Epërme. Megjithatë në bazë të punëve të kryera deri më tani nuk është ruajtur aspak pjesa e vjetër e urës si monument i trashëgimisë kulturore dhe e njëjta është ndërtuar prej fillimit. (koha.mk)