Kjo autostradë në njërin drejtim ka dy korsi, por e tëra është me gropa dhe çarje. Kësisoj, siguria në magjistralen Tetovë-Gostivar është shumë e vogël
Urim HASIPI
Tetovë, 19 shtator – Njëra nga prioritetet e qeverisë së re do të jetë edhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore. Ndërkaq, pritet që këtë vit të fillojë procedura për zgjerimin e autostradës Tetovë – Gostivar. Këtë e ka paralajmëruar Ministri i ri i Lidhjeve dhe Transportit Bllagoj Boçvarski. Sipas tij, ky aks rrugor është shumë i pambrojtur, ka një frekuentim të automjeteve dhe është shumë i ngushtë. Krahas kësaj, në këtë autostradë ndodhin shumë aksidente trafiku, ka ngecje në komunikacion dhe krijohet kaos. Ministri Baçvarski theksoi se do të realizohen edhe projekte tjera, kurse Korridori 8 do të modernizohet në aspektin infrastrukturor.
“Gjatë këtij mandati do të përfundojë ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër. Tërësisht do të rikonstruohet aksi rrugor Strugë -Qafë Thënë. Tërësisht do të rikonstruohet dhe zgjerohet autostrada Tetovë – Gostivar. Po ashtu do të punojmë në drejtim të ndërtimit të një aksi të rri rrugor nga Gostivari deri në Kërçovë. Me një fjalë, tërë Korridori 8 do të modernizohet”, thotë Ministri Bavçarski.
Në autostradën Tetovë – Gostivar, e cila është e gjatë 22 kilometra, gjatë ditës kalojnë rreth 13 mijë automjete. Që nga lëshimi në përdorim në vitin 1996 e deri më tani nuk janë bërë ndërhyrje më serioze. Pikërisht, moskujdesi në mirëmbajtjen e saj ka bërë që të dëmtohet në shumë vende dhe të paraqet rrezik për vozitësit. Krahas kësaj, për vozitësit rrezik paraqet edhe qasja e lehtë e kafshëve në autostradë, për shkak të dëmtimit të mburojave prej metali. Autostrada Tetovë-Gostivar ndonëse e mban epitetin e autostradës, megjithatë është në kategorinë e rrugëve të shpejta për të cilën vozitësit paguajnë në dy pika pagesore nga 30 denarë për një autostradë rreth 22 kilometra. Por edhe krahas pagesës, megjithatë e njëjta është shumë e pasigurt.
Kjo autostradë në njërin drejtim ka dy korsi por e tëra është me gropa dhe çarje. Kësisoj, siguria në magjistralen Tetovë – Gostivar është në nivelin më të ulët. Vite me radhë të njëjtës nuk i kushtohet rëndësi dhe po e njëjta është lënë pas dore dhe pa asnjë investim. Kjo autostradë vite me radhë më shumë është e dëmtuar në pjesën nga Gostivari për në Tetovë, ku aksidentet pothuajse janë pjesë e përditshme e kronikës së zezë për rajonin e Pollogut. Rikonstruimi i kësaj rruge ishte paralajmëruar disa herë edhe gjatë qeverisjes së kaluar, por konkretisht në teren nuk u punua asgjë. (koha.mk)