“BARDH” është shfaqja nga Dubravko Mihanovic, me regji të Fatos Berishës, premiera e së cilës do të jepet më 14 shkurt.
Berisha ka njoftuar se shfaqja mbahet në skenën e vogël të TKK-së, ndërsa numri i ulëseve është i limituar.
“BARDH”, premiera me 14 shkurt. Reprizat me 23 dhe 24 shkurt”, ka shkruar Berisha, transmeton Koha.net.
TKK përmes një komunikate për media, ka treguar se Drama ‘Bardh’ e dramaturgut kroat Dubravko Mihanovic është një tregim me dialog minimalistik të dy personazheve, të cilat janë Mjeshtri dhe Ndihmësi i tij që lyejnë me ngjyrë muret e një banese.
Ata tentojnë të krijojnë një lloj komunikimi, duke filluar bisedën me temat e përgjithshme, futbolli, telashet familjare, për t’u futur ngadalë në përkufizime për hapësirën që i rrethon dhe botën e tyre. Me dialog minimalist dhe jo-pretencioz, kuptojmë rutinën e jetës së tyre, përcjellim një afrim të dy personazheve, një ngjashmëri të tyre duke tentuar të futen në brendësinë e preokupimeve të njëri tjetrit.
Përmes marrëdhënies arketip: mësues-nxënës, e dy njerëzve nga margjinat e shoqërisë, vepra sjell një tregim që trajton probleme ‘të mëdha’ shoqërore-sociale.
Bota jashtë dritares e cila ua tërheqë gjithnjë vëmendjen jep dimension tjetër botës së tyre të mureve që ngjyrosin dhe që duan t’i japin kuptim.
Drama ‘Bardh’ është shpërblyer në vitin 1998 me çmimin vjetor kroat të Ministrisë së kulturës së Kroacisë.
Regjisor: Fatos Berisha, luajnë: Shpëtim Selmani dhe Tristan Halilaj, skenografia dhe kostumet: Arben Shala, përkthimi nga kroatishtja: Fatos Berisha.