Të pranishëm ishin edhe shumë fytyra publike dhe aktorë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, të cilët u shprehën shumë të entuziasmuar për shikimin e këtij filmi dhe numri i shitur i biletave e tejkaloi pritshmërinë për trefish
Llausha ZENUNI
Shkup, 14 nëntor – Të shtunën që lamë pas, në Shkup u mbajt premiera e filmit “Sofia” me prodhim në Shqipëri. Filmi i cili është i bazuar në një ngjarje të vërtetë, mbushi sallat e kinemasë “Cineplexx” për aq shumë sa në një natë u desht që filmi të transmetohej në tri salla, me tre termine të njëpasnjëshme.
Me regji dhe skenar të Eduart Grishaj dhe Arbana Osmani si producente, “Sofia” është një dramë/romancë që në vetë përmban një ndërthurrje perfekte mbi pasqyrimin e kulturës dhe bujarisë ndërshekullore shqiptare. Bëhet fjalë për një vajzë të re serbe, studente e albanologjisë në Beograd e cila vihet në kërkim të rrënjëve të historisë së stërgjyshit të sajë në luftën mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë afër fshatrave kufitarë të Malsisë më 1941. Sofia, dashurohet me një djalosh nga Shqipëria, duke nisur kështu një lidhje “të pamundshme” mes dy kombësive të ndara nga lufta.
Jetët e dy grave janë të lidhura nga një histori të përbashkët. Në vitin 1941, Sofi Lekja ishte një grua shqiptare që strehoi një komandant jugosllav në shtëpinë e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më vonë ajo zbuloi se komandanti që po qëndronte në shtëpinë e saj, ishte në fakt vrasësi i birit të saj.
Pas 80 viteve… Sofia, stërmbesa e komandantit jugosllav, është një vajzë e re serbe që studion albanologji në Beograd. Një ditë ajo vendos të shkojë në Shqipëri kundër dëshirës së prindërve të saj me një synim të madh, shkon në Shqipëri për të përmbushur dëshirën e gjyshit dhe për të gjetur të afërmit e Sofi Lekjes. Por ajo papritur takohet me një të ri shqiptar që quhet Arbër, gjë që ndryshon rrjedhën e udhëtimit. Arbëri ndihmon Sofinë të gjejë gjurmët e Sofi Lekjes. Mes tyre ndizet dashuria që e bën më të vështirë largimin e Sofisë nga Shqipëria.
Të pranishëm ishin edhe shumë fytyra publike dhe aktorë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, të cilët u shprehën shumë të entuziasmuar për shikimin e këtij filmi dhe numri i shitur i biletave e tejkaloi pritshmërinë për trefish. (koha.mk)