Gjashtë ekipet e mëdha të Premier Ligë mund të shkojnë në luftë dhe të kërcënojnë largimin nga kampionati, nëse atyre do t’i mohohen para ekstra nga të drejtat televizive në takimin e madh që do të zhvillohet të mërkurën. Mançester Junajted, Mançester Siti, Çellsi, Arsenal, Liverpul dhe Totenhem kërkojnë që 35 për qind të të ardhurave që do të vijnë nga shitja e ardhshme e të drejtave televizive jashtë Anglisë të ndahet në bazë të pozicionit që skuadrat kanë në kampionat dhe jo në bazë të politikës për ndarje të barabartë mes 20 klubeve të kampionatit.
Edhe pse besohet se Evertoni, Leiçester dhe Uest Hem do ta mbështesin kërkesën e tyre, që është konsideruar si “makute” nga të tjerët, do të duhet që ajo të mbështetet nga dy të tretat e klubeve për t’u miratuar. Pavarësisht angazhimit të madh të presidentit të Premier Ligë Riçard Skudamore, kërkesa pritet që të mos miratohet. Dhe nëse gjashtë skuadrave të mëdha të kampionatit anglez do t’u mohohet kërkesa, kjo do të jetë kriza më e madhe e Premier që nga formimi i këtij kampionatit në 1992-in. Një burim anonim ka thënë për “Sunday Mirror Sport” se: “Nëse do të votohet kundër gjashtë të mëdhenjve, atëherë gjithçka mund të ndodhë. Gjerat do të përkeqësohen”.