Evis HALILI
Shkup, 5 prill – Të lexosh me anë të prekjes. Kjo është mundësia që tani e tutje do të kenë fëmijët me pengesa në shikim. Botimi i këtyre librave, sipas alfabetit Braille, është pjesë e projektit që ka nisur të zbatohet prej tre vitesh, i mbështetur nga Agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID) Fonacioni ndërkombëtar i klubeve Lions (LCIF), si edhe në bashkëpunim edhe me Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL). Librat janë promovuar të martën në Panairin e Librit të shtypura në alfabetin Braille, mes të cilave libra të matematikës, shkenca natyrore, kimia, të gjitha të përkthyera në gjuhën shqipe dhe maqedonase, së bashku me literaturë klasike për fëmijë dhe fabula.
Vjosa Ismaili, pjesë e këtij projekti, potencon se shansi për një arsimim sa më kualitativ është e drejtë universale e njeriut, të cilën duhet ta gëzojë edhe kjo kategori. Dhe për shumë persona që nuk kanë aftësinë për të lexuar Braille dhe që nuk kanë qasje në asnjë lloj resursi digjital në gjuhën amtare mund të çojë në analfabetizëm dhe varësi, shton ajo. Si është ndjesia të lexosh duke prekur? Vjosa Ismaili e tregon me shembullin e Aldin Sherifit, nga Tetova, nxënës në “Dimitar Vllahov”, i cili e ka pyetur se – E di se çfarë mund të bëj unë dhe ti s’e bën dot? Të lexoj në errësirë.
“Janë gjithsej 90 tituj tekstesh shkollore që i dedikohen programit mësimor për arsim fillor janë përshtatur dhe të shtypur në alfabetin Braille dhe deri në përfundimin e projektit, për herë të parë në Maqedoni të gjitha tekstet shkollore do të jetë të disponueshme në formën e materialeve të shtypura në tri gjuhë, maqedonisht, shqip, por edhe turqisht. Kjo është një mundësi e mirë për fëmijët shqiptarë, të cilët mund të mësojnë në gjuhën amtare ”, thotë Ismaili.
Po ashtu ky projekt përfshin edhe adaptimin e testimit ekstern në alfabetin Braille, si edhe romane dhe libra për fëmijë, krijimin versioneve audio të librave për fëmijë, por edhe për të rritur të cilët mund t’i shkarkojnë nga serveri i UEJL. Ismaili i referohet të dhënave nga Unioni nacional i të verbërve, sipas të cilit shumë fëmijë nuk marrin arsimin adekuat, duke i vendosur ata në disavantazh të konsiderueshëm në aspektin e arsimimit, punësimit dhe statusit konsekuent ekonomik. Ky projekt që tashmë ka kaluar në fazën e tretë, atë edukative do të vijojë implementimin deri në vitin 2020. Vjosa Ismaili shton se deri tani, falë këtij projekti, janë hapur 5 Qendra burimore në Shkup, Tetovë, Manastir, Veles dhe Shtip në të cilat fëmijët me pengesa në shikim ndjekin orë mësimore shtesë. Në këto qendra ofrohet edukimi sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, të cilat nuk ekzistojnë në të vetmin institucion për fëmijët me pengesa në të pamur, “Dimitar Vllahov” në Shkup, që frekuentohet nga 50 nxënës.
Projekti po ashtu me qëllim parandalimin e sëmundjeve dhe trajtimin e tyre në kohën e duhur një ekip prej 15 oftalmologësh kanë kontrolluar mbi 10 mijë fëmijë në çerdhet dhe kopshtet në të gjithë Maqedoninë.
“Vetëdija e prindërve me pengesa në të pamur nuk është në nivelin e dëshiruar. Nuk është tragjike që fëmijën që nuk është i verbër, por që ka probleme të ndryshme me shikimin t’i japësh trajtimin e duhur, ta çosh në Qendrën burimore pasi aty janë të gjitha aparaturat dhe mjetet e duhura që i ndihmojnë fëmijës të absorbojë sa më mirë materialin shkollor. Aq më tepër, që nëpër këto qendra ka edhe defektologë, të cilët sipas planit që kanë ndjekin zhvillimin e fëmijës në tërësi”, shton Ismaili. Po ashtu ky projekt që ka si qëllim edhe përfshirjen sociale në Kryqin e kuq të qytetit të Shkupit, ka hapur një Qendër për mbështetjen e personave me pengesa në shikim, përmes konsultave psikologjike, sociale e të tjera. Edhe pse nuk ka statistika të sakta, supozohet se numri i personave me pengesa në shikim është më i madh se tetë mijë, kategori kjo që klasifikohet si një prej më të rrezikuarave.
Sipas një raporti të fundit nga Polio Plus, në mungesë të të dhënave nuk mund të flasim për një normë për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në sistemin edukativ-arsimor edhe pse mund të supozohet se kjo është shumë e ulët.