Shkup, 15 janar – Nga poliklinikat e Shkupit, “Jane Sandanski”, “Bit Pazar” dhe “Draçevë”, nga e hëna, pacientët do të mund të kryejnë teste laboratorike duke kontrolluar vlerat e D-dimerëve dhe CRP-së, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Prej Ministrisë së Shëndetësisë informuan se këto analiza janë të rëndësishme në monitorimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve me Kovid-19. Në tre poliklinikat, siç theksuan ata, nga java e ardhshme do të ketë një plan të veçantë, njerëzit që duhet të bëjnë analizat e nevojshme laboratorike do të vijnë në termine që do të synojnë që ata të mos jenë në kontakt me pacientët e tjerë.
“Në këtë mënyrë, ne e bëjmë më të lehtë për mjekët amë dhe pacientët që të mos duhet të shkojnë në qendrat kovid dhe institucionet spitalore për të bërë analizat e nevojshme. Participimi për këtë shërbim shëndetësor do të paguhet në përputhje me listën e çmimeve për shërbimet shëndetësore të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, deklaroi drejtori i Shtëpisë Shëndetësore -Shkup, Viktor Isjanovski.
Ministria e Shëndetësisë theksoi se poliklinikat “Jane Sandanski”, “Bit Pazar” dhe “Draçevë” janë gati me pajisje biokimike dhe reagjente për përgatitjen e shërbimit shëndetësor të kërkuar.