Shkup, 17 qershor – Prej sot pritet të jepen targat e reja të regjistrimit për automjetet me kodin NMK.
Ndërrimi i targave të vjetra të regjistrimit me të rejat do të bëhet gradualisht gjatë regjistrimit të automjeteve.
Obligimi për ndërrimin e tabelave të reja në të cilat shenja e deritanishme MK ndërrohet me shenjën e re NMK del nga Marrëveshja e Prespës me të cilën u zgjidh kontesti për emrin me Greqinë.
Nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Prespës, deri më tani janë dhënë shenja falas ngjitëse me kodin NMK në vendkalimet kufitare gjatë hyrjes dhe daljes së automjeteve nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Përveç automjeteve, targa me NMK do të kenë edhe autobusët, kamionët, motocikletat, traktorët…, edhe pse disa prej këtyre automjeteve asnjëherë nuk dalin nga shteti.
Sipas rregullores për formën dhe pamjen e targave të qarkullimit, të gjitha automjetet do të duhet që të kenë targa me shenjën NMK brenda shkurtit të vitit 2024.