Shkup, 1 janar – Ndryshimi i Vendimit për organizimin dhe përcaktimin e kushteve për dërgimin e mallrave në territorin e Shkupit e cila fillon të zbatohet prej sot, ka të bëjë me ndalesën për shpërndarjen e mallrave në periudhën nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 18:00, por nuk ka të bëjë më lëvizjen e automjeteve që shpërndajnë mallra, njofton Koha.
Këshilli i Qytetit të Shkupit me rekomandim te Qeverisë së RM-së miratoi vendimin për Ndryshimi i Vendimit për organizimin dhe përcaktimin e kushteve për dërgimin e mallrave në territorin e Shkupit. Kjo është një nga 15 masat urgjente për zvogëlimin e ndotjes së ajrit ambiental. Me këtë ndryshim ndalohet shpërndarja e mallrave në territorin më të ngushtë të qytetit në periudhën nga ora 7:30 deri në orën 18, deri në muajin mars, kur ndotja e ajrit është më e madhe. Vendimi ka të bëjë me shpërndarjen e mallrave në periudhën e lartpërmendur, dhe nuk ka të bëjë me lëvizjen e automjeteve të cilat bëjnë shpërndarjen. Kjo ndalesë nuk vlen për kompanitë të cilat kanë hapësirë të veçantë për shpërndarje të mallrave, por vetëm për ndalesat të cilat bëhen në rrugë ose trotuar, njofton Qyteti i Shkupit.