Athinë, 31 mars – Koronavirusi dhe kufijtë e mbyllur nuk ndikojnë mbi transportin e mallrave dhe furnizimin e vendit tonë me dërgesa nga porti i Selanikut, ndërsa të premten një tren mallrash me 30 kontejnerë të dedikuara për industritë tona u nis për në Shkup, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina, përcjell Koha.mk
Nga porti i Selanikut kumtojnë se edhe përkundër situatës jashtëzakonisht të vështirë, “duke qëndruar të përkushtuar për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe funksionimin e qetë të trafikut tregtar të portit”, ata vazhdojnë t’u shërbejnë klientëve të tyre me përkushtim.
“Të premten, 27 Mars 2020 nga porti i Selanikut me destinacionin përfundimtar Shkup, u nis një tren mallrash me 30 kontejnerë për industri në vendin fqinj. Ky është një moment i rëndësishëm në ruajtjen e vazhdimësisë së punës së shërbimit të zinxhirit të furnizimit për ata që e përdorin portin e Selanikut, ndërsa i cili luan një rol kryesor si një hyrje në Ballkan”, kumtojnë nga porti i Selanikut. (koha.mk)