Vendimi i së hënës nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) për heqjen e suspendimit dyvjeçar të Manchester Cityt nga garat evropiane të vendosur nga UEFA, është kthesa e fundit në historinë e tronditur të rregullit të ferplejit financiar (FFP) të organit drejtues të futbollit evropian. CAS-i, e mbështeti ankesën e Cityt ndaj suspendimit të UEFA-s, por ekipit anglez i vuri një gjobë prej dhjetë milionë eurosh për shkak të dështimit që të bashkëpunojë me hetuesit e pavarur , shkruan AFP, përcjellë gazeta Koha.
Fitorja e Cityt ka ngjallur dyshime për të ardhmen e programit të UEFA-s për ferplejin financiar, të krijuar në vitin 2009. UEFA vendosi të krijojë sistemin “FFP” 11 vjet më parë, pas krizës financiare globale, për t’i monitoruar financat e klubeve që kualifikohen çdo vit për garat evropiane. Klubet duhet të afrohen edhe në të ardhurat komerciale dhe shpenzimet për transferime dhe paga. Para Cityt, edhe disa skuadra të tjera ishin nën mikroskopin e UEFA-s, sa i përket rregullit të ferplejit financiar, të cilat do të paraqiten më poshtë.
Malaga
Në vitin 2012 skuadra nga Spanja, Malaga, bëhet ekipi i parë që suspendohet nga garat evropiane për shkak të shkeljes së ferplejit financiar si pasojë e pagesave të vonuara të transferimeve. Malaga u ble nga sheiku Abdullah Bin Nasser Al-Thani, anëtar i familjes qeverisëse të Katarit, në vitin 2010 dhe tre vjet më vonë arriti të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pas transferimeve të futbollistëve, si Julio Baptista, Santi Cazorla e Isco. Për shkak të suspendimit nga garat evropiane, Malaga u përballë me telashe të mëdha dhe tani po lufton për të siguruar mbetjen në kategorinë e dytë të Spanjës për edicionin e ardhshëm.
Milani
Kampionit të shtatëfishtë të Evropës iu ndaluan garat kontinentale në vitin 2019 për shkak të humbjeve prej 500 milionë eurosh, pavarësisht kualifikimit për në Ligën e Evropës. Dy vjet më herët, Milani shpëtoi nga suspendimi falë Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) pasi klubi u shit nga Silvio Berlusconi te biznesmeni kinez, Li Yonghong, i cili më vonë e “shkarkoi” ekipin nga “San Siro” në fondin amerikan të investimeve “Elliott”. Milani nuk ka arritur të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve në gjashtë edicionet e fundit, dhe sipas të gjitha gjasave edhe në edicionin e ri do të mungojë në garën më elitare të Evropës.
Paris-Saint Germain
I blerë nga grupi sovran “Qatar Sport Investment” në vitin 2011, kampioni i Ligue 1, Paris-Saint Germaini, vazhdimisht ka qenë i dyshuar për “doping financiar” shkaku i marrëveshjeve tepër të fryra të sponsorizimit. Transferimi i Neymarit për një shifër rekorde prej 222 milionë eurosh dhe ai i francezit Kylian Mbappe në vitin 2017, tërhoqën vëmendjen e UEFA-s. Pas kësaj, UEFA edhe nisi hetimet në lidhje me shkeljet e ferplejit financiar, por në muajin mars të vitit të shkuar, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) bëri të ditur se hetimi në klubin parisien tashmë ishte mbyllur. Që nga ajo kohë, PSG-ja vazhdimisht po përpiqet të ulë varësinë që ka nga mbështetja e madhe financiare nga Katari.