Nëpër dru, shtylla betoni dhe vende të ngjashme publike, fanatikët ngjesin afishe ku u kërkohet nënave që të mos lejojnë vajzat dhe djemtë të shkojnë në mbrëmjet e maturës. Që të jenë ende më patetik në gjithë porosinë tragjikomike, shkruajnë se “prindi e dërgon vajzën/djalin e tij në duart e shejtanit dhe punëtorëve të tij”, pasi matura qenka “nata ku bëhet imoraliteti”. Porosia u dërgohet nënave shqiptare, pasi këso afishesh gjen vetëm në gjuhën shqipe dhe vetëm në vendbanimet shqiptare të kryeqytetit
Laura PAPRANIKU
Shkup, 25 prill – Shpërndarja e afisheve me përmbajte fetare, të cilat thirren në gjoja porositë e Kur’anit (librit të shenjtë të myslimanëve), po shndërrohet në dukuri shqetësuese për shoqërinë shqiptare. Sa herë kur ofron koha e organizimit të mbrëmjeve të maturës, autorë injorantë, të cilët natyrisht që fshihen pas anonimitetit, u bëjnë thirrje nxënësve dhe prindërve të tyre që të bojkotojnë mbrëmjet e Maturës, shkruan gazeta KOHA. Duke e konsideruar “haram”, pra diçka të ndaluar nga feja, organizimin dhe pjesëmarrjen e nxënësve në mbrëmjet e maturës, persona të panjohur përpiqen të dogmatizojnë shqiptarët me ideologji të errëta, obskurantiste.
Fiks në këtë linjë janë edhe afishet që këto ditë kanë mbuluar vendbanimet shqiptare të kryeqytetit, kryesisht në Komunën e Çairit.
Nëpër dru, shtylla betoni dhe vende të ngjashme publike, ngjiten afishe ku u kërkohet nënave që të mos lejojnë vajzat dhe djemtë të shkojnë në mbrëmjet e Maturës, sepse aty, sipas tyre, “do të humbin nderin e familjes dhe të fëmijëve”. Matura thonë se është nata ku “humbet morali i vajzave tona”, ku “përfitojë njerëzit e ligë”, ku “prishet rinia jonë”.
E, që të jenë ende më patetik në gjithë porosinë tragjikomike të tyre, shkruajnë se “prindi e dërgon vajzën/djalin e tij në duart e shejtanit dhe punëtorëve të tij” dhe se “familja e humbet turpin brenda saj”.
Dhe, meqë këto mbrëmje qenkan “nata ku paratë e familjes bëhen shkak që fëmijët e tyre të prishen” apo se qenka “nata ku bëhet imoraliteti, humbet turpi i vajzës dhe i djalit”, i drejtohen posaçërisht nënës të mos lejojë që “ta humbet për një natë fëmijën që ka rritur”.
Për nga niveli i lartë i injorancës dhe shërbimin që u bëjnë misioneve të dyshimta, nuk është aspak e vështirë ti identifikosh dhe ti mëshirosh si të tillë. Mirëpo, problemi është se për shumë vite mundohen të çorientojnë shoqërinë shqiptare, duke goditur te shtresa më delikate e saj – te adoleshentët.
Fatkeqësisht, nuk është se nuk ia kanë arritur qëllimin, pasi ia kanë dalë që jo vetëm të krijojnë masë të konsiderueshme të atyre që u shkojnë pas, por edhe të përçajnë shoqërinë. Vite me radhë, në përfundim të shkollës së mesme, nxënësit shqiptarë n ë Shkup, por edhe n ë qytete tjera, nuk festojnë bashkë mbrëmjen më të hareshme të vitit.
Para dy viteve, në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, mbi 40 për qind e nxënësve nuk ishin në mbrëmjen e Maturës. Në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” nuk u organizua fare, sepse dominoi kategoria e atyre që festime të këtilla i konsiderojnë “haram”. Në 12 paralelet e kësaj shkolle që në vitin 2016 ishin viti i katërt, nuk u bënë as 50 nxënës të interesuar për organizmin e kësaj nate. Ka edhe prej atyre që nuk shkojnë në mbrëmjen e Maturës për arsye financiare, por kjo nuk është arsyeja kryesore.
Në ekstremin tjetër të shoqërisë shqiptare është kategoria e nxënësve që bëjnë shpenzime marramendës për Maturën, me veshje të denja për pasarelat e modës dhe me një varg teprimesh paraprake familjare, me dreka dhe darka që nuk justifikojnë në asnjë rast qëllimin.
Përfundimi i arsimit të mesëm në Maqedoni nuk është asgjë e jashtëzakonshme, pasi ky nivel shkollimi është i detyrueshëm me Ligj.
Prandaj, në përjashtim të një gëzimi të natyrshëm që manifestohet tek nxënësve që për katër vjet qëndruar me një klasë dhe, që në përfundim të ciklit ia vlen të takohen me njërin-tjetrin në një mbrëmje gazmore, nuk ka përse të ekzagjerohet përtej kësaj. Mirëpo, shoqëria shqiptare po bipolarizohet çdo ditë e më shumë, mes esktremeve të logjikshme dhe të rrezikshme njëkohësisht. Shpërndarit e afisheve që shesin moral, duke bërë thirrje për bojkotimin e mbrëmjeve të Maturës, të vetëdijshëm ose jo, janë në shërbim të atyre që dëshirojnë ti shohin shqiptarët keq e më keq. (koha.mk)