Nacho Fernandez do të jetë lojtari tjetër i Real Madridit, që do të kalojë përmes sallës së konferencave të shtypit, për të njoftuar rinovimin me klubin e bardhë, edhe një sezon tjetër. Kontrata aktuale e tij me të bardhët mbaronte më 2021, por pas marrëveshjes së arritur me drejtuesit, ajo zgjerohet deri më 30 qershor 2022. Rinovimi do të zyrtarizohet në orët e ardhshme, përmes nënshkrimit përkatës dhe fotos së këtij momenti mes Florentino Perez dhe mbrojtësit.
Natyrisht, Zidane ka dhënë “ok” për marrëveshjen, pasi e ka përfshirë në planet e veta për sezonin e ri në qendër të mbrojtjes (mund të luajë edhe në krahë), bashkë me Ramos, Varane dhe Militão. Lojtari në fjalë u bashkua me Real Madridin në vitin 2001, por debutoi në ekipin e parë në vitin 2011, kur trajner ishte José Mourinho. Zgjatja e mëparshme e kontratës së tij ndodhi në vitin 2014.