Lionel Mesi mund të ketë qenë shumë pranë transferimit te Mançester Siti këtë verë, por nuk është hera e parë që kapiteni i Barcelonës ka qenë shumë pranë kalimit në Premier Ligë. Sipas gazetarit italian të “Sky”, Xhanluka di Marzio, argjentinasi ishte një hap larg firmës me Çelsin në vitin 2014. Shifra e transferimit do të ishte një rekord botëror (225 milionë paund), klauzola e Mesit atëherë dhe bosi i bluve të Londrës, Roman Abramoviç dhe trajneri i atëhershëm Hoze Murinjo ishin shumë të vendosur që ta kryenin goditjen më të bujshme në historinë e futbollit. Mesi do të paguhej me 50 milionë paund në vit plus do t’i garantohej edhe 70 për qind e të drejtave të imazhit nëse akordi do të ishte formalizuar.
Në librin e tij të fundit “Grand Hotel Calciomercato”, një ditar me sekrete të tregut të transferimeve, Di Marzio zbulon gjithashtu se të njëjtin skenar provoi edhe Reali i Madridit në 2013, por mori menjëherë përgjigje refuzuese nga “Pleshti”, i cili i premtoi besnikëri të përjetshme katalanasve. Di Marzio zbulon se kontakti i parë mes Mesit dhe Çelsit nisi në janar 2014, ndërsa ai ishte në mes të hetimit për evazion fiskal.
I zemëruar nga autoritetet fiskale spanjolle, numrin 10 e tërhoqi ideja e nisjes së një jete të re në Londër, i joshur nga ideja për të luajtur në “Stamford Bridge”. Pasi bisedoi me shumë menaxherë ndërmjetësues, por edhe ish-shokun e skuadrës në “Camp Nou”, Deko, sot një menaxher, i cili ka luajtur gjithashtu me Çelsin, u negociua një video-takim me aplikacionin “FaceTime” mes Mesit dhe Murinjos. Biseda shkoi shkëlqyeshëm dhe mesazhi i Mesit për enturazhin e tij ishte:
“Tani që fola me Murinjon, mund të fitoj gjithçka dua. Ai është një fitues, vazhdoni mbylleni marrëveshjen”, kishte thënë Messi.
Më vonë atë verë, Çelsi bëri biznes me Barcelonën me transferimin e Fabrebasit. Dhe Di Marzio zbulon se ishte një bisedë me Fabregasin gjatë fazës përgatitore në korrik që solli hedhjen në erë të negociatave. Pas punës së tij fillestare për ta bërë këtë operacion të vlefshëm, mësohet se Deko, u përjashtua nga bisedimet pasi Mou foli direkt me Mesin. Fabregasi paralajmëroi Dekon për situatën dhe ish-fantazisti i Portugalisë u hakmor duke spiunuar te babai i Mesit, Horge. Me të mësuar këtë, Horge u zemërua nga përjashtimi në bisedime pasi mësoi se akordi i rrogës ishte arritur nga ndërmjetësit e të birit të tij dhe jo ai. Më pas Leo mohoi gjithçka.
“Nuk e di për çfarë po flet, të betohem”, i tha ai babait. Në këtë pikë përfundoi gjithçka. Marrëveshja me Çelsin u prish dhe ai dëgjoi babanë, duke qëndruar në Barcelonë.