Prapaskenat që e pengojnë Agim Ibraimin t’i bashkohet Partizanit

Ditë më parë, “Panorama Sport” bëri me dije se Partizani është i interesuar për futbollistin shqiptar të Kombëtares së Maqedonisë, Agim Ibraimi. Mesfushori me tipare sulmuese ka një karrierë të pasur mbi shpatulla dhe, në pjesën e parë të sezonit, ka qenë pjesë e kampionëve të Kazakistanit, Astana. 28-vjeçari mund të luajë në qendër, por edhe në krah dhe, duke qenë se është lënë i lirë nga skuadra kazake, drejtuesit e Partizanit po këmbëngulin që ta veshin të kuq futbollistin tetovar. Burime pranë klubit kryeqytetas kanë konfirmuar për “Panorama Sport” se vijojnë bisedimet me Agim Ibraimin dhe ata kanë shumë shpresa që ai të bëhet pjesë e Partizanit. Lojtari i lindur në Tetovë ka përvojë në futbollin ndërkombëtar, pasi ka luajt me disa klube të ndryshme, madje edhe në Ligën e Kampioneve me Mariborin dhe Astanën. Mësohet se drejtuesit e Partizanit po i shqyrtojnë të gjitha burimet e tyre, në mënyrë që ta bindin lojtarin të vishet i kuq.

Interes nga Sllovenia

“Demat” nuk do ta kenë të lehtë që të bindin Ibraimin, pasi në prapaskenë ekzistojnë edhe disa klube të tjera që kanë shprehur interes. Më herët u tha se në lojë është edhe Shkëndija e Tetovës, por mediat sllovene kanë bërë të dituar se cilat janë ofertat për ish-lojtarin e Mariborit. Sipas këtyre lajmeve, përveç Partizanit, Agim Ibraimin e kërkojnë edhe dy skuadra në Slloveni. Pikërisht bëhet fjalë për ish-klubin e tij, Maribori, nga i cili u largua pas polemikave që pati me Zlatko Zahoviçin. Përveç Mariborit, mësohet se edhe Olimpija e Ljubjanës ka shfaqur interes për futbollistin e Kombëtares së Maqedonisë.

Kontrata me Astanën

Pengesë tjetër, për momentin, që e mban Ibraimin larg të kuqve, është kontrata që ai ka me klubin nga Kazakistani, me të cilin nënshkroi verën e kaluar. Aventura e Ibraimit tek Astana nuk ka qenë pozitive, për shkak të dëmtimeve që ai ka pasur. Menaxheri i përgjithshëm i klubit, Sayan Khamitzhanov, në fund të dhjetorit u shpreh: “Ibraimi ishte një futbollist mjaft cilësor që iu bashkua skuadrës sonë dhe arriti të përshtatej me stilin e lojës, duke u bërë pjesë e objektivave që ka pasur klubi. Por, si ka vuajtur nga dëmtimet, për shkak të të cilave nuk ka mundur të jetë shumë prezent në fushë. Kështu, së bashku me stafin teknik kemi vendosur që të ndërpresim kontratën me lojtarin, duke e falënderuar për kontributin që ka dhënë në arritjet e Astanës përgjatë qëndrimit të tij. I urojmë shëndet dhe suksese në karrierën e tij”. Por, burime pranë lojtarit tetovar kanë bërë me dije se ai ende nuk i ka shkëputur marrëdhëniet me Astanën, ndonëse nuk bën më pjesë në planet e klubit. Me sa duket, Ibraimi pret që të marrë ndonjë dëmshpërblim nga Astana për prishjen parakohe të kontratës. Ai ende nuk e ka tërhequr dokumentacionin nga klubi kazak.