Kriza shëndetësore me virusin korona, pritet që të shkaktoj një krizë më të thellë ekonomike në nivel global. Ndërkaq ekspertët, janë shprehur se një krizë e tillë ekonomike që do ta shkaktoj virusi korona, pritet të rikthejë organizimin sindikal të punëtorëve dhe fuqizimin e tyre anë mban botës
Zenel MIFTARI
Shkup, 4 qershor – Organizimi sindikal i punëtorëve daton vonë në historinë njerëzore, e cila ishte krijuar me qëllim që të mbrojë të drejtat e punëtoreve dhe gjithashtu kanë pasur ndikim të madh në krijimin e politikave vendase. Por me përhapjen e globalizmit dhe përfshirjen e kapitalizmit të një numri të madh të vendeve në bot, si duket e ka zbehur ndikimin e sindikatave. Ndërkohë, me shfaqjen e virusit korona dhe masat paraprake që morën qeveritë e botërore, për ta parandaluar përhapjen e tij, ka shkaktuar një “ngërç” ekonomik dhe sipas ekspertëve ekonomik, jemi në prag të një krize të thellë ekonomike. Miliona punëtorë anë mbanë botës, si pasoj e krizës së krijuar kanë humbur punën, apo kanë mbetur pa rroga përkohësisht. Tani është shtruar pyetja, se a mund të bëhet një kthim i fuqishëm i punëtorëve në sindikata?
Në Maqedoninë e Veriut, sipas një hulumtimi i realizuar në fillim të muajit prill, të cilin e ka publikuar Instituti për Hulumtime Politike “Detektor”, çdo i pesti punëtor ka ngelur pa vendin e tij të punës si pasojë e krizës nga pandemia e virusit korona. Sipas këtij hulumtimi, 12 për qind nga numri i përgjithshëm i qytetarëve thonë se kanë humbur vendin e punës apo kanë marrë largim të përkohshëm nga puna për shkak të krizës me virusin korona, afër 11 për qind prej tyre, shprehen se punojnë nga shtëpia, ndërsa 2.5 për qind janë përgjigjur se nuk u ka ndryshuar statusi për shkak se kanë punuar edhe më herët nga shtëpia. Të tjerët, apo 40 për qind, janë pensionistë apo të papunësuar dhe kur këta do të përjashtohen nga hulumtime, anketa tregon se 21 për qind e të anketuarve të punësuar kanë mbetur pa vendin e punës, ndërsa 57 për qind shkojnë në punë si më herët.
Filozofi, Sead Zimeri, ekskluzivisht për gazetën KOHA, është shprehur se sot është kohë ideale për t’u organizuar në sindikata dhe unione të punëtorëve pasi që e vetmja mënyrë që punëtorët kanë për t’i fituar dhe ruajtur të drejtat e tyre është përmes organizmit në sindikata. Sipas tij, në kushte të rënies ekonomike, një punëtor si individ nuk ka as peshën dhe as mundësinë të negociojë për pagë më të madhe, apo për ato të drejta që ja siguron ligji por që pushteti nuk i zbaton. Ai mendon se, një rikthim më i fuqishëm i punëtorëve në sindikata do të duhej të ndodhë, por megjithatë ai mbetet pesimist nëse sindikatat do të ringrihen më fuqishëm, sidomos tek ne. “Në shtetet më të pasura ka lëvizje dhe aktivizëm më të madh, por edhe këto nuk dihet nëse do të shndërrohen në organizime afatgjate. Si çdo aktivizëm tjetër edhe sindikatat dhe unionet kërkojnë liderë që dinë t’i organizojnë punëtorët, t’i ftojnë që t’i bashkohen sindikatave. Kjo kërkon një traditë të fortë organizimit në sindikata. Barra e përgjegjësisë pra është e sindikatave, që ata t’i organizojnë punëtorët, t’i mbështesin në çdo përpjekje të tyre, dhe të kërcënojnë, kur është e nevojshme, edhe me greva nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen”, është shprehur ai. Zimeri, thotë se e gjithë kjo është e mundur vetëm me një sindikatë të mirë-organizuar, që ka shumicën e punëtorëve anëtarë të saj, shumica bën fuqinë, si në çdo rast tjetër. Në fund ai ka shtuar se organizimet spontane të punëtorëve, aktivizmat e ndryshme të tyre, protestat, e kështu me radhë, nëse nuk janë pjesë e një strukture të fuqishme, do të kenë pak efekt. “Tani është koha që sindikatat që i kemi të dalin në terren, të bëjnë kampanja agresive për t’i mobilizuar punëtorët, dhe nëse arrijnë të rrisin numrin e tyre do të shohim një përmirësim të dukshëm të gjendjes dhe kushteve të punëtorëve”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, ngjarjet e fundit në SHBA, me vdekjen e George Floyd, kanë shkaktuar një valë protestash në mbarë SHBA-në, të cilave nuk i duket fundi. Një nivel i tillë dhune dhe përleshjesh me forcat e rendit nuk ishte parë që prej viteve 1960. Kërkimi i drejtësisë, për Floyd, ka ngritur në këmbë organizata të ndryshme majtiste dhe socialistët kërkojnë që të mos vazhdoj diskriminimi ndaj personave me ngjyrë në SHBA. (koha.mk)